Së paku 100 të vrarë dhe më shumë se 4.000 të plagosur është bilanci i shpërthimit që ndodhi në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, më 4 gusht.
I gjithë qyteti u trondit nga shpërthimi, i cili ndodhi në pjesën ku ndodhet porti.
Incidenti shkaktoi dëme të shumta materiale, duke e bërë qytetin e Lindjes së Mesme të ngjante me një zonë të luftës. Ministri i Shëndetësisë, Hamad Hassani, tha se numri i viktimave pritet të rritet.
Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi shpërthimin.
Presidenti i Libanit, Michel Aoun, tha se 2.750 tonë kimikate bujqësore ishin ruajtur në mënyrë të pasigurt në një depo për gjashtë vjet.
Ai caktoi një takim urgjent të kabinetit për të mërkurën, duke thënë se duhet të shpallet një gjendje e jashtëzakonshme dyjavore.
Zyrtarët thanë të martën se kanë filluar një hetim për të gjetur shkakun e saktë të shpërthimit. Këshilli i Lartë i Mbrojtjes në Liban tha se ata që janë përgjegjës do të përballen me “dënimin maksimal” të mundshëm.
Vendi do të jetë në zi kombëtare për tri ditë. “Ajo që ne po shohim është një katastrofë e madhe”, tha kreu i Kryqit të Kuq të Libanit George Kettani për mediat lokale.
Në rrjetin social Twitter, qytetarët kanë postuar pamje të momentit të shpërthimit.
Shpërthimi vjen në një kohë të ndjeshme për Libanin. Vendi po përballet me një krizë ekonomike, pandeminë e koronavirusit dhe demonstrata masive kundër varfërisë. Tensionet janë, gjithashtu, të larta pasi të premten, një gjykatë e Kombeve të Bashkuara, pritet të nxjerrë aktgjykimin e saj ndaj katër të dyshuarve për vrasjen me makinë bombë të ish-kryeministrit, Rafik Hariri.
Ai ishte vrarë më 2005.
Të katër të dyshuarit janë anëtarë të grupit Hezbollah, që ka mbështetjen e Iranit, i cili vazhdimisht ka mohuar çdo rol në vdekjen e Haririt.
Në Uashington, presidenti amerikan, Donald Trump, hodhi dyshime mbi të gjithë situatën, duke thënë se ai besonte se shpërthimi mund të ketë qenë një sulm.
“Unë u takova me disa nga gjeneralët tanë të shkëlqyeshëm. Ata dukej sikur mendonin se ishte një sulm”, tha Trump.
Më herët, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se SHBA-ja po e monitoron gjendjen në Liban.
“Unë u shprehë ngushëllimet e mia për të gjithë ata që janë prekur nga shpërthimi masiv në portin e Bejrutit më 4 gusht. Ne po vëzhgojmë gjendjen dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë popullin e Libanit”, ka thënë Pompeo në një postim në Twitter.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gabi Ashkenazi, mohoi spekulimet për përfshirje të Izraelit, duke thënë se shpërthimi ishte një aksident.
“Unë sugjeroj për kujdes me spekulime – nuk shoh ndonjë arsye për të mos i besuar raporteve nga Bejruti”, tha ai, duke iu referuar komenteve nga zyrtarët libanezë.
Izraeli dhe Libani nuk kanë marrëdhënie dhe shpërthimi i Bejrutit vjen në mes të tensioneve në rritje midis dy vendeve dhe grupit militant Hezbollah përgjatë kufirit jugor të Libanit dhe në Siri.
Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Farhan Haq, u tha gazetarëve se nuk ishte menjëherë e qartë se cili ishte shkaku dhe se nuk kishte asnjë indikacion për ndonjë dëmtim të ndonjë personelit të OKB-së.
Edhe Bashkimi Evropian reagoi pas incidentit, duke u ofruar mbështetje popullit dhe autoriteteve të Libanit.
Franca tha që do të dërgojë menjëherë ndihma në Liban. Zyra e presidenti, Emmanuel Macron, tha se ai bisedoi me homologun e tij libanez, Michel Aoun, dhe e njoftoi për dërgimin e ndihmës franceze në Liban.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka shprehur tronditje pas pamjeve të shpërthimit në Liban, ka thënë zëdhënësi, Sebastian Fischer.
“Qeveria gjermane është e tronditur nga raportimet dhe pamjet e incidentit. Mendimet tona janë me ata që kanë humbur të dashurit. Ne do t’i ofrojmë mbështetje Libanit”, citohet të ketë thënë Merkel.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha përmes një postimi në rrjetin social Twitter se Kosova qëndron pranë Libanit në këtë kohë të vështirë.
Libani po ballafaqohet me krizë të thellë ekonomike. Shumë libanezë, që varen nga kursimet, tani janë duke u përballur me varfëri.
Koronavirusi i ri konsiderohet se ka përkeqësuar edhe më shumë situatën ekonomike në këtë shtet.