Manchester United drejt një epoke të re, stadiumi i ri me 100 mijë vende pritet në 2035

Share

Manchester United ka prezantuar planet për ndërtimin e stadiumit të ri me kapacitet prej 100 mijë vendesh, i cili do të ndërtohet rreth 350 metra larg nga stadiumi aktual Old Trafford.

Projekti, i vlerësuar rreth 2 miliardë paund, është pjesë e një plani më të gjerë për transformimin e zonës Trafford Wharfside, ku pritet të krijohet një distrikt i ri sportiv dhe argëtues.

Klubi anglez ka theksuar se stadiumi i ri nuk është një projekt për prestigj, por një investim që synon rritjen e të ardhurave dhe përmirësimin e përvojës së tifozëve.

Shefja ekzekutive e projektit të stadiumit, Collette Roche, deklaroi: “Ky duhet të jetë një projekt i arsyeshëm, jo një projekt për ego. Kontrolli i kostove është shumë i rëndësishëm dhe ne duhet ta realizojmë brenda afatit dhe buxhetit.”

Manchester United, i cili aktualisht ka rreth 1.3 miliardë paund borxhe, ka pranuar se financimi mund të përfshijë edhe huamarrje, investitorë të rinj apo të drejta komerciale si emërtimi i stadiumit.

Projekti pritet të sjellë rreth 15 mijë banesa të reja, përfshirë banesa të përballueshme, si dhe të krijojë mijëra vende pune në zonën e Mançesterit. Klubi synon që stadiumi i ri të jetë gati deri në vitin 2035.

Lexo më shumë

Lajmet e Fundit