Zbardhen debatet që kanë ndodhur këtë të martë në konferencën e kryetarëve, ku po diskutohet mandati i ish-ministres, Olta Xhaçka.
Gazment Bardhi iu drejtua Spiropalit duke i thënë se si kryeparlamentar ka hedhur në erë Gjykatën Kushtetuese.
“Zonja Kryetare, ju personalisht kishit vendosur të injoronit vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ju jeni kryetarja e dytë që keni vendosur të hidhni në erë Gjykatën Kushtetuese, duke minuar në këtë mënyrë edhe bashkëjetesën me opozitën. Ne i jemi referuar Kushtetutës dhe drejtësisë për çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës. Ju na e keni mohuar këtë të drejtë dhe keni grisur vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Venecia është organ këshillimor dhe ju e dini shumë mirë se ai nuk ka efekt detyrimor. Kjo sjellje e juaj rrezon gjithë propagandën tuaj se gjasme jeni konstruktiv dhe jeni të hapur”, tha Bardhi.
Më tej, ai tha se votimi ka qenë i orientuar në parlament. “Mos bëni sikur e latë në dorën e deputetëve. E dinim tri orë para se si do silleshit, ca abstenim e ca kundër. Ishte orientuar grisja e vendimeve dhe shkelmimi i Gjykatës Kushtetuese. Po e përsëris, po minoni bashkëjetesën me opozitën. Opozita i është drejtuar Drejtësisë, ju nuk pyesni për vendimet”, tha Bardhi.
Ndërkohë, Peleshi u shpreh se është zbatuar vendimi i Kushtetueses. “Natyrisht që kemi zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke e çuar mandatin në seancë. Kemi përmbushur të gjithë detyrimin; nuk bëhet fjalë vetëm për mandatin e një deputeti, por është i nevojshëm një qartësim për të gjitha rastet që mund të ndodhin në të ardhmen.
Ne besojmë se një opinion nga Komisioni i Venecias do të na vlejë të gjithëve, sidomos në një situatë konflikti mes dy të drejtave: diskrecionit të deputetëve për të shprehur vullnetin e lirë në seancë dhe detyrimit për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo qartësi do të na vlejë neve, dhe gjithashtu do t’ju vlejë edhe juve”, tha Peleshi.
Për Tabakun, ky është një diskutim, i cili është duke u zhvilluar për një precedent të gabuar dhe jo për emrin e një deputeti.
“Xhaçka është një nga koleget tona. Ne po diskutojmë për parimin, jo për emrin e znj. Xhaçka. Në vitin 2010, çdo progres-raport thuhej që qeveria e PD s’ka respektuar një vendim të GJK dhe tani po bëhet fjalë për 9 vendime të tjera që nuk i zbaton qeveria dhe këtu vendosim një precedent të rrezikshëm. Nuk po diskutojmë fare nëse ka pasur apo jo konflikt interesi, ne mendojmë që po, juve jo, por lëmë gjykatën të vendosë. Por nëse ne përdorim kartonin për të mbrojtur veten tonë, japim një mesazh të gabuar jashtë kësaj salle. Në Venecia ne kemi çuar reformën në drejtësi, ka shkuar një anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe janë gjykuar çështje në Venecia. Ne duhet të heqim dorë nga mbrojtja politike.
Po të isha në veten time s’do kisha dashur hiç mburojë politike, le ta vendosë GJK.
Përse nuk e keni çuar më herët në Komision të Venecias? Përse ndodh sot për herë të parë kësaj radhe dhe jo më herët? Nuk duhet cenuar standardi që është vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Nuk ndjejmë kënaqësi që flasim për këtë çështje, as të flasim kundër njërit apo tjetrit, por e kemi në parim këtë çështje. Ne duhet të flasim në parim dhe zbatojmë në parim vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha Tabaku.
Në anën tjetër, Gjekmarkaj propozoi me ironi që Shqipërinë ta shpallim vend pa Kushtetutë. “Njësoj si në 1967 kur Shqipëria u shpall vend ateist, propozoj që ta shpallim tani vend pa Gjykate Kushtetuese”.