Gaunt theksoi se shohin zhvillim të sektorit të teknologjisë në Turqi dhe se vendi po avancon në mënyrë të shpejt që të bëhet lojtar kryesor në këtë sektor
Kreu i Odës Tregtare Britanike në Turqi (BCCT), Chris Gaunt, ka deklaruar se potenciali i lartë i rritjes dhe zhvillimit teknologjik të Turqisë, së bashku me marrëveshjen tregtare të nënshkruar së fundmi me Mbretërinë e Bashkuar, do të sigurojë rritjen e vëllimit të tregtisë midis dy vendeve.
Duke folur për Anadolu Agency (AA), Gaunt theksoi se shohin zhvillim të sektorit të teknologjisë në Turqi dhe se vendi po avancon në mënyrë të shpejtë që të bëhet lojtar kryesor në këtë sektor.
“Tani kemi një platformë të qëndrueshme nën të cilin do të zhvillojmë më tej marrëdhëniet tona tregtare. Është një marrëveshje mjaft e plotë”, tha Gaunt, duke iu referuar përfitimeve nga marrëveshja e nënshkruar midis Turqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Duke theksuar nevojën e Turqisë për investime të huaja, Gaunt tha se nuk do të ketë ndonjë mungesë të përgatitjes së ndërmarrjeve të Mbretërisë së Bashkuar për të kryer ato investime, veçanërisht tani që të dy vendet kanë arritur një marrëveshje të tregtisë së lirë.
“Unë po ashtu mendoj se duhet të ketë reforma, të përmendura më herët nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Tani ka një atmosferë mjaft pozitive dhe pozitiviteti do të vazhdojë. Ne shohim një mundësi për të punuar dhe investuar në ndërmarrjet turke që janë duke zhvilluar aftësinë e tyre në fushat e teknologjisë”, tha Gaunt.
Kreu i BCCT-së po ashtu theksoi se kjo është një “marrëveshje e vijueshmërisë”, duke shtuar se ajo mundëson rritjen e marrëdhënieve tregtare midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Turqisë, përmes së cilës mund të shtohen më shumë sektorë që më parë nuk kanë mundur të qasen.
Më 30 dhjetor të vitit të kaluar, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar nënshkruan marrëveshjen historike të tregtisë së lirë pas përfundimit të periudhës së tranzicionit të Brexit-it. Marrëveshja, që mbulon tregtinë me vlerë mbi 18 miliardë paundë (24,3 miliardë dollarë), ka hyrë në fuqi që nga dita e parë e vitit 2021.
Votuesit britanikë në një referendum të vitit 2016 vendosën të largohen nga Bashkimi Evropian (BE), pas një anëtarësimi mbi 40-vjeçar në bllokun evropian.
Me përfundimin e periudhës së tranzicionit, po ashtu përfundoi edhe liria e lëvizjes së lirë midis Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve anëtare të BE-së.
Mbretëria e Bashkuar arriti marrëveshje me 62 vende, si dhe me BE-në, para se periudha e tranzicionit të përfundonte në ditën e fundit të vitit 2020.