Mijëra të rinj në Kosovë po përgatiten të shkojnë për të punuar në Gjermani, e cila ka mungesë të punëtorëve shëndetësorë, kështu që vendi mund të mbetet pa fuqi punëtore në disa sektorë.
Arbeni, një fizioterapist 26-vjeçar, është ulur në rreshtin e pasmë të një autobusi nga Ferizaj, një qytet në juglindje të Kosovës.
Duolingo, një aplikacion për mësimin e gjuhëve të huaja, është i instaluar në celularin e tij, kështu që ai mëson gjermanisht ndërsa udhëton për në fshatin e tij të lindjes.
“Po mësoj gjermanisht sepse së shpejti do të shkoj në Shtutgart”, citohet të ketë thënë Arbeni për agjencinë e lajmeve të Kroacisë, Hina, shkruan Index.hr.
Ai nuk kishte qenë kurrë në Gjermani, por sapo iu ofrua një punë në këtë profesion, nuk hezitoi.
Gjermania dhe Zvicra kanë mungesë të punonjësve shëndetësorë, ndaj Arbenit do t’i jepet një kontratë pa afat dhe shpreson të qëndrojë përgjithmonë.
“Nuk do të kthehem kurrë”, ka thënë ai.
Siç shkruajnë mediat kroate, Arbeni është një nga më shumë se 50 mijë kosovarët që aktualisht janë duke pritur për vizë për në Gjermani, sipas analistëve në Kosovë.
Mediat kroate përshkruajnë situatën në një nga qytetet e Kosovës.
Në Prizren, qytet në jug të vendit, ka një shëtitore përgjatë lumit, brigjet e së cilës lidhen me një urë të vjetër prej guri, shkruan Index.hr.
Aty shihen duke ecur disa çifte me fëmijë dhe një grup turistësh të huaj që ngjiten në kodër drejt mureve të kalasë lokale.
Por kafenetë dhe restorantet janë bosh.
“Njerëzit po mendojnë se si të mbijetojnë”, ka thënë një ekonomist vendas që donte të mbetej anonim. “Çmimet janë rritur në qiell që nga fillimi i luftës në Ukrainë”, shton ai.
Kështu, disa të rinj punojnë përkohësisht në kafene dhe fabrika derisa të marrin vizën për të shkuar jashtë vendit.
“Së shpejti nuk do të mbetet njeri që të punojë në profesione të caktuara”, paralajmëron ekonomisti.
Ai thotë se 65 mijë kosovarë janë në pritje të lejes së punës për në Gjermani.
Në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë dhe tani si shqiptarët ashtu edhe serbët po largohen nga vendi me 1.8 milion banorë në kërkim të punës jashtë vendit.
Duke bërë një krahasim, mediat kroate shkruajnë se Kroacia ishte e fundit që iu bashkua BE-së në vitin 2013, kur dyert e tregut të punës në bllokun e 27 vendeve u hapën për banorët e saj.
Dhe në dhjetë vitet e fundit ky vend ka humbur rreth 400 mijë banorë, sipas regjistrimit të popullsisë të publikuar në janar.