Telashet me regjistrimin on-line nuk u zgjidhën edhe dy javë pas nisjes së procesit për diasporën. Nga Shoqatat e mërgimtarëve shprehin indinjatën për disa pika të formularit, për të cilat hasin në vështirësi gjatë plotësimit të të dhënave personale.
Përveç mos-përkthimit në shqip të grafës për gjuhën amtare, kombësinë, përkatësinë fetare dhe kyçja në platformë, problem tjetër sipas Shoqatës “Iliria” në Shfajnfurt të Gjermanisë është edhe regjistrimi i pronës së mërgimtarëve, të cilën e posedojnë në vendlindje.
Formularët që posedojmë nuk përmendet askund prona dhe do të ishte apeli im se ka pasur edhe shumë ankesa nga bashkë atdhetarët, të cilët janë të hutuar dhe nuk dinë si do të bëhet regjistrimi i pronave të tyre atje në Maqedoni. Sa do të jetë efikas regjistrimi nga ndonjë i afërm atje dhe sa do të jenë të sakta të dhënat e amvisërisë që i posedojmë atje që do të regjistrohet në emrin e tij – tha Sevdali Chailji, Shoqata diasporës “Iliria” Gjermani.
Nga Enti i Statistikave thonë se për shtetasit jo rezident, të cilët jetojnë jashtë territorit nuk do të marrin të dhëna për pronat e tyre në Maqedoninë e Veriut. Mungesën e shqipes në përkthimin e disa klasifikimeve, drejtori i Entit, Apostoll Simovski e arsyeton me mungesën e kapaciteteve.
Të gjitha pyetjet janë të parashtruara në 8 gjuhë, por gjatë kategorive të përgjigjeve për klasifikime nuk janë të përkthyera e as që mund të bëhet sepse janë shumë që kërkojnë kohë dhe dije. Ne u përpoqëm ti përkthejmë ato klasifikime por nuk arritëm, madje nuk ekziston kapacitet njerëzor në shtet që ato të përkthehen në gjuhën shqipe, e aq më pakë në të gjitha tetë gjuhët tjera – u shpreh Apostoll Simovski, Drejtor i Entit të Statistikave.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave në dy javët e para rreth 50 mijë shtetas jashtë vendit janë regjistruar në platformën elektronike. Procesi online do të vazhdoj edhe pas 1 prillit deri më 21 prill periudhën në të cilën pritet të zhvillohet regjistrimi edhe në territorin e Maqedonisë së Veriut.