Ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab është përballur me kërkesën për të dhënë dorëheqjen, pasi nuk ndërpreu pushimet e tij luksoze, të paktën sa për të bërë një telefonatë në ndihmë të përkthyesve afganë, çka do t’u mundësonte këtyre të fundit të largoheshin nga Kabuli.
Për ministrin e Jashtëm u tha se ishte “i padisponueshëm”, kur zyrtarët në departamentin e tij i sugjeruan “telefononte urgjentisht” homologun afgan, Hanif Atmar, dy ditë para se talebanët të marshonin drejt Kabulit, në mënyrë që të organizonte ndihmën për përkthyesit që mbështetën trupat britanike.
”Daily Mail” shtoi se Ministria e Jashtme afgane më pas refuzoi të organizonte një telefonatë me këtë ministër, duke e shtyrë atë për të nesërmen.
Ndërkohë, ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace argumentoi se telefonata e sugjeruar nga Raab për homologun e tij afgan nuk do të kishte sjellë “asnjë ndryshim”, pasi qeveria afgane “po shkrihej më shpejt se akulli”.
“E kush nuk do ta bënte një telefonatë nëse do t’i thuhej se përmes saj do të shpëtonte jetën e një njeriu”, shkroi në Twitter lideri i laburistëve, sër Keir Starmer.
Sekretarja për çështjet me jashtë e opozitës britanike, Lisa Nandy shtoi se “ministri i Jashtëm duhej të turpërohej dhe kryeministri ka një detyrë të vështirë për t’iu përgjigjur se pse ai është ende në punë”.
Zëdhënësja për çështjet e jashtme e liberal-demokratëve, Layla Moran tha se “Dominic Raab duhet të japë dorëheqjen sot. Nëse nuk e bën, kryeministri më në fund duhet të tregojë lidership dhe ta shkarkojë atë”.
“Ka përkthyes në të gjithë Afganistanin të cilët janë të rrethuar nga talebanët dhe kanë frikë nga më e keqja. Ajo që duhej të bënte Raab ishte të linte plazhin dhe të kapte telefonin. Ai nuk e bëri. Ai ka turpëruar Britaninë e Madhe dhe nuk është më i aftë për të përfaqësuar vendin tonë”, theksoi ajo.
Një ish-përkthyes afgan, aktualisht qytetar britanik, akuzoi Raab për dështimin për të siguruar mbrojtje për familjet e përkthyesve në Afganistan.
Ai i tha agjencisë së lajmeve PA se “si mund ta bëjë dikush diçka të tillë në këtë situatë kaotike?”.
“Përkthyesit dhe familjet e tyre mund të vriten në çdo kohë”, shtoi ai.
Raab ishte duke pushuar në ishullin grek të Kretës dhe tha se do të qëndronte në hotelin ”Amirandes”, i stiluar sipas pallateve të mbretërve minoanë dhe fisnikëve venecianë që dikur sundonin Kretën dhe ofron elegancën e luksit të vërtetë evropian.
Wallace i tha programit ”Today” në BBC Radio 4 se “të Premten e kaluar, qeveria afgane po shkrihej më shpejt se akulli dhe një telefonatë me një ministër afgan në atë moment, në atë kohë, nuk do të kishte bërë ndonjë ndryshim”.
“Ne ishim absolutisht të shqetësuar dhe nuk ishim të sigurt ishte nëse aeroporti do të mbetej i hapur. Kjo ishte në mendjen e të gjithëve”, tha ai.
“Pa një aeroport funksional, ne nuk do të nxirrnim askënd pavarësisht sa telefonata mund t’i bëheshin një qeverie në zhdukje e sipër, këtë mund ta them me siguri”, shtoi Wallace.
“Ju mund të spekuloni nëse thirrja telefonike duhej ose nuk duhej të ishte bërë, por kjo nuk do të kishte përbërë një ndryshim të madh”, theksoi ai.
Qeveria ka njoftuar se Britania e Madhe do të marrë deri në 20 000 afganë si pjesë e skemës së saj të evakuimit, me 5 000 sosh që do të pranohen në 12 muajt e ardhshëm.
”Downing Street” tha se qeveria do të nxiste partnerët ndërkombëtarë të imitonin “një nga skemat më bujare të azilit në historinë britanike”.
Raab do të flasë me ministrat e tjerë të G7-s për të diskutuar bashkëpunimin ndërkombëtar për këtë çështje.
Ambasadori britanik në Afganistan, sër Laurie Bristow, tha se personeli i Zyrës së Jashtme shpresonte të nxirrte të paktën 1 000 afganë nga Kabuli çdo ditë, por duke paralajmëruar se kishin mbetur ditë dhe jo javë për të përfunduar misionin.