Në seancën parlamentare për miratimin e marrëveshjes së 5 qershorit, deputeti Myslim Murrizi, u shpreh se nuk do ta votojë, sepse nuk ngatërron kodin zgjedhor me marrëveshjen.
Murrizi deklaroi se kodi zgjedhor u shërben shqiptarëve, ndërsa marrëveshja e 5 qershorit vetëm 3 kryetarëve.
Myslim Murrizi: ”E vetmja deklaratë e sinqertë e juaja këtu, ishte se ju keni shtypur butonin për Lulin. Në fakt ka vite që në këtë sallë, si ortakë të hershëm që jeni, shtypni butonin e njëri tjetrin. Shyqyr që 74 deputetë nga ju, 23 nga ky krahu këtej, t’i kanë dhënë 97 vota pro marrëveshjes së 5 qershorit, disa për t’i bërë qefin Lulit, disa lokomotivë e futjes së Shqipërisë në BE. Unë kam votuar kundër se nuk ngatërroj kodin zgjedhor me 5 qershorin. Kodi zgjedhor është një kod që i hyn në punë shqiptarëve. 5 qershori i hyn në punë 3 kryetarëve.”
Murrizi tha se kodi zgjedhor duhet të kishte brenda rekomandimet e OSBE/ODIHR. Sipas tij, 5 qershori është noterizim i 21 prillit të vitit 2008.
Myslim Murrizi: ‘‘Kodi zgjedhor duhet të kishte brenda rekomanidmet e OSBE/ODIHR, sepse ata ju kanë etikatuar me fakte, me zë e me figurë, si hajdutë votash, ju 3 marrëveshësit e 5 qershorit. Kodi zgjedhor dhe 5 qershori janë mijëra kilometra larg njëri-tjetrit. 5 qershori juaj nuk është asgjë më shumë se noterizimi i 21 prill të vitit 2008. ‘‘