Studiuesit në Universitetin e Kentit në Angli kanë gjetur vendin “perfekt” për të mbledhur të paprekur pluhurin kozmik që bie në Tokë nga hapësira, çatitë e katedraleve.
Dr Penny Wozniakiewicz dhe Dr Matthias van Ginneken planifikojnë të vizitojnë katedralet në Mbretërinë e Bashkuar në kërkim të grimcave ekzotike të pluhurit për të kuptuar se sa material nga hapësira arrin në Tokë dhe bëhet pjesë e planetit ose atmosferës së tij.
Çatitë e katedraleve janë terrene të mira “gjuetie” për pluhurin kozmik për shkak të madhësisë dhe paarritshmërisë së tyre. “Pluhuri hyn kudo, por çatitë ofrojnë një mundësi për të mbledhur pluhurin pa njerëz që e shkelin atë“, tha Wozniakiewicz.
Grimcat e pluhurit vijnë nga asteroidet dhe kometat dhe përplasen në atmosferë me dhjetëra mijëra milje në orë. Shumë digjen gjatë procesit, por disa shkrihen dhe ngurtësohen për të formuar sfera të vogla, të dallueshme që janë të shpërndara në të gjithë sipërfaqen e Tokës.
“Ne duam të shkojmë në këto çati sepse grimcat që gjejmë janë kaq magjepsëse. Ato janë të dobishme për të kuptuar numrin e grimcave që arrijnë në sipërfaqe. Kjo mund të lidhet me numrin që arrin në majë të atmosferës, kështu që ne mund të mësojmë për kontributin e këtij materiali në Tokë”, tha Wozniakiewicz.
Shkencëtarët po ecin përpara me projektin pasi një studim fizibiliteti identifikoi grimca kozmike mes pluhurit të marrë nga një pjesë e çatisë së katedrales Canterbury që ishte riparuar vetëm dy vjet më parë.
Ndërsa era dhe shiu fshijnë pjesën më të madhe të pluhurit nga çatitë, grimcat e gjetura i lejojnë shkencëtarët të përcaktojnë sasinë minimale të pluhurit kozmik që po bie. Një avantazh tjetër i çative së katedraleve është se mbahen shënime të mira të punimeve të ndërtimit, kështu që mosha e pjesëve të ndryshme të çatisë dhe sa kohë kanë mbledhur pluhur, janë të dokumentuara mirë./ The Guardian