Manastiri, vend i shkronjave, por gjuha shqipe nuk vlen për gjimnazin e këtij qyteti. Vetëm disa metra më poshtë Muzeut “Kongresi i Manastirit” gjendet Gjimnazi “Josip Broz Tito”.
Për të na kuptuar disa prej nxënësve, duhej t’ju bënim pyetjet maqedonisht, në mënyrë që të na thonë disa fjalë shqip.
“Ke vështirësi të flasësh në gjuhën shqipe? Po! A do kishe dashur të mësosh në shqip? Po! Për çfarë arsye nuk mësoni? Nuk e di!”, tha M. Sinani, nxënëse e vitit të dytë.
“Shqip? Nuk e di, nuk ka! Përse nuk mësoj shqip? Këtu nuk ka shkolla për shqipe për atë arsye. E shihni si pengesë këtë? Jo, por maqedonisht më vjen shumë zor sepse 9 vjet mësoja shqip pastaj kur erdha këtu shumë e kisha më rëndë”, pohoi M. Shefkiu, nxënëse e vitit të dytë.
“Di më shumë maqedonisht se që e vogël jam rritur duke folur maqedonisht. Në Shkollë fillore si mësoje? Maqedonisht kam mësuar edhe në fillore”, theksoi A. Iljazova, nxënëse e vitit të katër.
Nga drejtoria e gjimnazit thonë se nga 750 nxënës, shqiptarë ka pak dhe nuk janë të interesuar të mësojnë në gjuhën e tyre amtare. Ndonëse kushtetuta ua garanton nxënësve mësimin në gjuhën amtare, ushtruesja detyrës së drejtore e Gjimnazit Tanja Naumovska tha se nxënësit shqiptarë të Manastirit jetojnë në Maqedoni dhe duhet të mësojnë në gjuhën maqedonase.
“Një numër shumi i vogël i nxënësve shqiptarë mësojnë në gjimnaz, mund të them se në të gjitha 4 vitet janë 8-9 nxënës nuk jam aq e sigurtë. Por, përgjithësisht edhe në vitet e mëparshme ka qenë numër i vogël i shqiptarëve që kanë mësuar këtu dhe asnjëherë nuk është paraqitur nevoja dhe as që ka pasur kërkesa për tu hapur paralele në gjuhën shqipe”, pohoi Tanja Naumovska, U.D. drejtoresha e Gjimnazit “J.B.Tito” Manastir.
Veterani arsimit Ramiz Asllani thotë se edhe ai vetë ka mësuar maqedonisht kur ka qenë në gjimnaz.