Albania
Nga Martin Kiri – Shteti kundër Banorëve, apo Ligji përballë Kaosit?
Shteti kundër Banorëve, apo Ligji përballë Kaosit?
Ngjarjet e fundit në Theth, ku IKMT ka ndërhyrë për shembjen e ndërtimeve pa leje, kanë ngjallur debate të forta në opinionin publik. Përplasja mes shtetit dhe banorëve nuk është thjesht një konflikt mbi ndërtime fizike, por një reflektim i tensionit të thellë mes zhvillimit turistik, pronësisë, ligjshmërisë dhe nevojës për të ruajtur identitetin dhe bukurinë e zonave të mbrojtura.
Por kush ka të drejtë?
Në të drejtën për të jetuar dhe për të punuar tokën e tyre – Shumë prej këtyre ndërtimeve nuk janë rezorte gjigante, por bujtina familjare. Banorët përpiqen të përfitojnë nga sezoni turistik për të mbijetuar, dhe shpesh nuk kanë ndihmë apo guida se si të legalizohen.
Në mungesën e transparencës dhe mbështetjes nga shteti, shumë banorë thonë se nuk janë paralajmëruar, nuk u është ofruar mundësia e legalizimit, apo nuk kanë marrë përgjigje nga institucionet. Në një zonë malore, ku qasja në shërbime është e kufizuar, kjo bëhet akoma më problematike.
Nëse zhvillimi turistik do të menaxhohet vetëm nga investitorë të mëdhenj apo projekte të mëdha, banorët e zonës do të margjinalizohen dhe në fund do të detyrohen të largohen nga fshati i tyre.
Qeveria:
Në zbatimin e ligjit – Ligji është i qartë: ndërtimet në zonat e mbrojtura dhe pa leje ndërtimi janë të paligjshme. Thethi është një park kombëtar dhe si i tillë gëzon mbrojtje të veçantë ligjore. Çdo ndërtim pa miratim zyrtar përbën shkelje.
Në mbrojtjen e trashëgimisë natyrore – Zhvillimi i pakontrolluar rrezikon bukurinë natyrore të Thethit, e cila është një pasuri kombëtare. Nëse nuk frenohet ndërtimi pa kriter, Thethi rrezikon të humbasë atë që e bën unik.
Në detyrimin për të krijuar një model të qëndrueshëm turizmi – Shqipëria po përpiqet të promovohet si destinacion natyror dhe kulturor. Lejimi i ndërtimeve pa kriter minon këtë imazh.
Problemi i vërtetë:
Problemi është mungesa e një strategjie të qartë, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse për zhvillimin e zonave të mbrojtura. Nëse shteti vërtet ka për qëllim ruajtjen e Thethit, duhet të kishte filluar me hartimin e një plani të detajuar urbanistik të përshtatur për një zonë alpine me vlera natyrore; me ofrimin e mbështetjes teknike dhe financiare për banorët që duan të legalizojnë apo ndërtojnë me standarde të përshtatshme; me ngritjen e një mekanizmi dialogu dhe bashkëpunimi me komunitetin, për të ndërtuar një vizion të përbashkët dhe të qëndrueshëm.
“Toka e trashëguar, jo e zaptuar”
Thethi nuk është një zonë urbane ku ndërtimet pa leje janë bërë mbi prona publike apo në mënyrë spekulative. Aty kemi një komunitet të rrënjosur prej shekujsh, ku toka është trashëguar brez pas brezi – shpesh pa dokumentacion zyrtar, por me trashëgimi të padiskutueshme historike dhe morale.
Madje as Perandoria Osmane nuk ua preku tokën thethjanëve dhe dukagjinasve, duke njohur të drejtën e përdorimit tradicional dhe autokton. Kjo nuk është vetëm çështje ligjore, por çështje e identitetit dhe dinjitetit të një komuniteti.
Shteti gabon duke e trajtuar Thethin njësoj si një pjesë periferike të Tiranës – Nuk mund të përdorësh të njëjtin model kontrolli dhe shembjeje në një fshat historik malor si në zonat ku toka është uzurpuar për vila luksoze.
Shteti gabon duke mos njohur realitetin e pronësisë tradicionale – Mungesa e certifikatave pronësore nuk do të thotë mungesë prone reale. Shteti ka vonuar për dekada procesin e legalizimit dhe njohjes së pronësisë tradicionale në zona si Thethi.
Shteti gabon duke mos përfshirë komunitetin në vendimmarrje – Thethjanët nuk janë pushtues, janë kujdestarë të tokës dhe natyrës. Trajtimi si shkelës ligji pa konsultim është një padrejtësi historike.
Shteti duhet të njohë tokën e trashëguar si bazë për legalizim – me procedura të thjeshtuara dhe të përshtatura për kontekstin historik. Duhet që shteti të ndalë narrativën fyese “tokë e xanun” në një zonë ku njerëzit kanë ruajtur vendin për shekuj, shpesh në kushte ekstreme. Shteti duhet të ndërtojë një partneritet real me banorët, ku zhvillimi turistik të jetë në duart e atyre që e kanë ruajtur dhe mbajtur Thethin gjallë.
Në Theth nuk kemi të bëjmë me “tokë të zënë”, por me tokë të trashëguar dhe të punuar me gjak e mund. Kjo e drejtë morale duhet të jetë baza mbi të cilën ndërtohet çdo vendim politik apo ligjor.
Shembjet e IKMT nuk mund të jenë zgjidhja e vetme për një problem kompleks. Ato mund të jenë të ligjshme, por jo gjithmonë të drejta në kontekstin social. Zgjidhja kërkon një model të ri bashkëjetese mes shtetit dhe banorëve. Pa këtë model, çdo aksion do të shihet si dhunë ndaj një komuniteti që përpiqet të mbijetojë, jo si ruajtje e ligjit apo natyrës.
Ligji duhet zbatuar, por gjithmonë në shërbim të njerëzve dhe jo kundër tyre.
Albania
Ambasada e SHBA në Tiranë u uron shqiptarëve Vitin e Ri: Të forcojmë partneritetin tonë!
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë u ka përcjellë shqiptarëve urimet për Vitin e Ri, duke theksuar forcimin e vazhdueshëm të partneritetit mes dy vendeve, bazuar në qëllime dhe vlera të përbashkëta.
Në mesazhin e publikuar në rrjetet sociale, Ambasada thekson se fundi i vitit shërben si një moment reflektimi mbi arritjet e përbashkëta dhe njëkohësisht si një periudhë entuziazmi për zhvillimet që priten gjatë vitit 2026.
“Ndërsa viti po i afrohet fundit, duam të festojmë arritjet tona më të mëdha dhe gjithë entuziazmin për atë që do të vijë në vitin 2026! Nga vizita historike e USS Mount Whitney në brigjet e Shqipërisë, te Shtetet e Bashkuara që do të presin ngjarjet më të mëdha sportive ndërkombëtare në botë, partneriteti ynë vazhdon të forcohet përmes qëllimeve dhe vlerave të përbashkëta. Gëzuar Vitin e Ri nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë!”, thuhet ne mesazhin e tyre.
Albania
“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
Qytetarë që kishin planifikuar të udhëtonin sot nga Londra drejt Tiranës me kompaninë ajrore “Wizz Air” kanë denoncuar sërish mungesë serioziteti dhe kompetence nga ana e kësaj kompanie.
Sipas denoncuesve, pas imbarkimit dhe hyrjes në avion, ata janë detyruar të zbresin sërish me arsyetimin se në kontenier ishte ndezur një sinjal paralajmërues.
Pas zbritjes, udhëtarët janë përballur me orë të tëra pritjeje pa asnjë informacion të qartë, ndërsa i vetmi shpjegim i dhënë nga kompania ka qenë se ekziston një problem teknik.
Qytetarët kërkojnë reagim të menjëhershëm dhe nisjen sa më shpejt drejt destinacionit të tyre, ku i presin familjarët për t’u bashkuar me festat. Ata theksojnë se kjo nuk është hera e parë që hasin probleme me këtë kompani ajrore.
“Wizz Air” është shpeshherë objekt ankesash për vonesa të shumta, anulime në momentet e fundit dhe mungesë komunikimi apo përgjigjeje ndaj udhëtarëve.
Albania
Vendimi i qeverisë, zbardhet skema e re e kompensimit, nga 600 deri në 1800 lekë shtesë në muaj, ja kush përfiton
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve, një masë që hyn në fuqi si pjesë e paketës së Buxhetit 2026.
Vendimi synon të mbështesë pensionistët me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke përcaktuar shuma konkrete shtesë që variojnë nga 600 deri në 1,800 lekë në muaj.
Sipas vendimit të propozuar nga Ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, fondi total për këtë skemë kap vlerën e 9.8 miliardë lekëve.
Si ndahen kategoritë dhe sa është shtesa?
Qeveria ka ndarë përfituesit në 5 kategori kryesore, bazuar në nivelin e të ardhurave mujore që ata kanë pasur deri në datën 31.12.2025:
Shtesën maksimale prej 1,800 lekë/muaj e përfitojnë të gjithë pensionistët që kanë të ardhura mujore deri në 40,000 lekë.
Këtu përfshihen pensionet e pleqërisë të plota (urbane), minatorët, punonjësit e naftës, gazit dhe metalurgjisë.
Shtesën prej 1,000 lekë/muaj e përfitojnë personat me të ardhura mujore deri në 18,000 lekë.
Këtu përfshihen pensionet e ish-kooperativave bujqësore dhe pensionet rurale (të fshatit).
Shtesën 800 lekë/muaj e përfitojnë personat me të ardhura mujore deri në 22,000 lekë.
Në këtë grup përfshihen pensionet e pjesshme (urbane), pensionet sociale dhe ata që nuk kanë plotësuar vitet e sigurimit.
Shtesën 700 lekë/muaj e përfitojnë personat me të ardhura mujore deri në 18,000 lekë, ku janë përfituesit e pensionit familjar, përfshirë familjet e pilotëve.
Ndërsa shtesën 600 lekë/muaj e përfitojnë personat me të ardhura mujore deri në 30,000 lekë.
Këtu përfshihen të gjitha kategoritë e pensioneve të invaliditetit.
Kush përfiton tjetër?
Një pikë e rëndësishme e vendimit është se ky kompensim nuk prek vetëm pensionistët aktualë. Përfitojnë edhe personat që do të dalin në pension gjatë vitit 2026, me kusht që të ardhurat e tyre të mos kalojnë tavanet e përcaktuara më sipër. Megjithatë, ata që fitojnë të drejtën e pensionit pas datës 1 janar 2027, nuk do të jenë subjekt i këtij vendimi.
Vendimi saktëson gjithashtu se këto kompensime nuk do të preken (nuk do të ulen apo ndryshojnë) në rastet kur qeveria miraton indeksime të tjera të pensioneve në të ardhmen.
Zbatimi i këtij vendimi do të kryhet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) dhe pagesat do të shpërndahen përmes Postës Shqiptare dhe bankave të nivelit të dytë.
-
UK2 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania4 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK4 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports2 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
Albania3 hours ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
Albania2 days agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
UK22 hours agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
