Junta ushtarake e Nigerit i ka hequr imunitetin diplomatik ambasadorit të Francës dhe ka urdhëruar policinë që ta dëbojë atë nga vendi i Afrikës Perëndimore. Kjo u bë e ditur sipas një deklarate nga regjimi ushtarak.
Ushtarët kryengritës që rrëzuan presidentin e Nigerit më shumë se një muaj më parë i dhanë ambasadorit francez Sylvain Itte 48 orë për t’u larguar nga vendi javën e kaluar. Afati skadoi më 28 gusht, por Franca nuk e tërhoqi ambasadorin Itte.
Qeveria franceze thotë se nuk i njeh puçistët si liderë legjitimë të vendit.
Komunikata e dërguar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Nigerit në fillim të kësaj jave dhe e parë nga Associated Press të enjten thoshte se Itte “nuk gëzon më privilegjet dhe imunitetet e lidhura me statusin e tij si anëtar i stafit diplomatik të ambasadës”.
Në dokument thuhet gjithashtu se kartat diplomatike dhe vizat e familjeve të ambasadorit janë anuluar.
Qeveria e Francës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment të enjten.
Pasi Itte së pari iu tha të largohej nga Nigeri, presidenti francez Emmanuel Macron tha se i dërguari do të qëndronte në postin e tij. Makron foli me vendosmëri kundër udhëheqësve të grushtit të shtetit, ndërsa këmbënguli se Franca, sundimtar i dikurshëm kolonial i Nigerit, nuk është armiku i vendit.
Që nga rrëzimi i Presidentit të zgjedhur në mënyrë demokratike Mohamed Bazoum, junta ka nxitur ndjenjat antifranceze në mesin e popullatës për të pasur mbështetjen e saj. Njerëzit thërrasin “Poshtë Franca” në mitingjet e përditshme pranë kryeqytetit, Niamey, dhe nganjëherë edhe përpara një baze ushtarake franceze në qytet.
Franca ka rreth 1,500 personel ushtarak në Niger, të cilët trajnuan dhe kryen operacione të përbashkëta me forcat nigeriane të sigurisë për të mposhtur një kryengritje xhihadiste në rritje të lidhura me al-Kaidën dhe grupin Shteti Islamik. Operacionet kanë pushuar që nga grushti i shtetit dhe sulmet xhihadiste po shtohen.
Kryengritësit vranë 17 ushtarë dhe plagosën gati 24 të tjerë këtë muaj, sulmi i parë më i madh në gjysmë viti kundër ushtrisë në Niger.
Tensionet rajonale po rriten gjithashtu pasi junta injoron thirrjet nga vendet e tjera të Afrikës Perëndimore për lirimin dhe rivendosjen e Bazoum-it, edhe në mes të kërcënimit të forcës ushtarake.
Blloku rajonal ECOWAS vendosi një forcë “të gatishmërisë” dhe e urdhëroi atë të kthente Nigerin në rregullin kushtetues. Forca nuk ka hyrë ende në Niger, dhe blloku thotë se dera mbetet e hapur për dialogun, por nuk do të presë përgjithmonë.
Junta ka emëruar një qeveri të re dhe tha se do ta kthejë Nigerin në sistemin e qeverisjes të përcaktuar nga kushtetuta brenda tre viteve, një afat kohor që ECOWAS e hodhi poshtë.
Dëbimi i ambasadorit francez dhe heqja e imunitetit të tij diplomatik e vendos Francën në një pozitë sfiduese. Franca ka thënë se do të mbështesë ECOWAS në rivendosjen e një qeverie të përshtatshme në Niger, por gjithashtu duhet të mbrojë edhe stafin e saj diplomatik.
“Nëse Parisi njeh autoritetin ushtarak në Niger, i cili është thelbi i çështjes, mund të kufizohet dëmi i reputacionit me të cilin po përballet Franca në ish-kolonitë e saj afrikane,”- tha Mucahid Durmaz, një analist i lartë në konsulencën globale të rrezikut Verisk Maplecroft.
Në të njëjtën kohë, Durmaz mendon se nuk ka gjasa që Franca të përdorë lëvizjet e juntës kundër ambasadorit si një arsye për të nisur një ndërhyrje ushtarake të mbështetura edhe nga trupat e ECOWAS.
“Implikimet katastrofike të një lufte rajonale, së bashku me një rritje të ndjenjave tashmë të larta anti-Francë në rajon, do të thotë se Parisi ka të ngjarë që t’i shmanget një veprimi të tillë,” tha Durmaz. Apnews