v
Kur në janar 1942 rreth 3 milionë amerikanë të GI-sit shkuan në Mbretërinë e Bashkuar, përshtypja ishte – sikundër vuri re George Orwell – se qe “vështirë të shkoje diku në Londër pa e pasur ndjesinë se Britania tashmë ishte një territor i pushtuar”. Akoma më pak i njohur është kusuri i komentit të Orwellit. “Konsensusi i përgjithshëm i opinionit”, shkroi ai, “duket se është që të vetmit ushtarë amerikanë me sjellje të matura janë njerëzit me ngjyrë”.
Se çfarë mendonte Britania për 130 mijë afro-amerikanët që formuan këtë “pushtim”, është tema e librit të zhbiruar gjer në imtësi nga Kate Werran. Mjedisi i tij – qyteti kornez i Launcestonit – mund të duket si jo fort i besueshëm për tregimin e një kryengritjeje antiraciste, por gjatë gjithë luftës afro-amerikanët e GI-sit u vunë në qytete periferike dhe fshatra nga Yorkshire Moors deri në Pyllin e Deanit e në Somerset Levels; në jugperëndim ata po bëheshin gati për zbarkimin e Ditës “D”, shkruan The Guardian.
Werran risjell ngjarjet e 26 shtatorit të vitit 1943, kur pati një shkëmbim zjarri mes të bardhëve e njerëzve me ngjyrë në shërbimin amerikan. Afro-amerikanët e GI-sit ishin përjashtuar nga pijetoret e Luancestonit dhe u ballafaquan me një grup të policisë ushtarake amerikane në sheshin e qytetit; të shtëna u dëgjuan rreth orës 10:00 dhe dy xhipa mbetën vrima-vrima prej plumbave. Një banor e përshkroi skenën si reminishencë e “perëndimit të egër”.
“An American Uprising” shpleks rrëfimin mbi gjykimin e 14 ushtarëve afro-amerikanë, të cilët u ngarkuan me akuzat e shkeljeve më serioze në ushtrinë amerikane, nga tentimvrasja deri te rebelimi. Për një çast të shkurtër, rasti përkapi vëmendjen e krejt kombit. Si shtypi britanik, ashtu edhe ai amerikan, morën pjesë në teatralizmat e gjykatës që shpesh i privonte spektatorët e drejtësisë britanike. Orenditë e zakonshme të gjykatës u riaranzhuan për t’i bërë vend një baneri gjigand me himnin amerikan, një bend ushtarak luante himnin jashtë ndërtesës dhe kishte ndërprerje dramatike të shpeshta gjatë “kundërshtimeve” nëpër seanca.
Por fasada shkëlqimplotë ndrynte një thelb mjaft të dyshimtë. Më 1942, Qeveria britanike kishte kaluar Visiting Forces Act, që i bënte ushtarët amerikanë subjekt të ligjit ushtarak. Kjo nënkuptonte se ata mund të ekzekutoheshin në tokën britanike për krime për të cilat nuk parashiheshin ndëshkime kapitale në Britani. Ai e institucionalizoi sistemin e segregacionit të Jim Crowit, që mbizotëroi jo vetëm në jugun amerikan, por në krejt ushtrinë amerikane.