Ndërsa Hemisfera Veriore përballet me një valë të nxehti rekord të verës, shumë më në jug, në thellësi të dimrit, një tjetër rekord i tmerrshëm klimatik po thyhet. Akulli i detit të Antarktidës ka rënë në nivele të ulëta të paprecedentë për këtë periudhë të vitit.
Çdo vit, akulli i detit Antarktik tkurret në nivelet më të ulëta në fund të shkurtit, gjatë verës së kontinentit. Më pas, akulli i detit ngrihet përsëri gjatë dimrit.
Por këtë vit shkencëtarët kanë vërejtur diçka ndryshe. Akulli i detit nuk është kthyer në nivelet e pritura. Në fakt është në nivelet më të ulëta për këtë periudhë të vitit që nga fillimi i regjistrimeve 45 vjet më parë. Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e të Dhënave për Borën dhe Akullin (NSIDC), akulli është rreth 1.6 milionë kilometra katrorë nën rekordin e mëparshëm të dimrit të vendosur në vitin 2022.
Në mesin e korrikut, akulli i detit të Antarktidës ishte 2.6 milionë kilometra katrorë nën mesataren e viteve 1981-2010. Kjo është një zonë pothuajse aq e madhe sa Argjentina.
‘Loja ka ndryshuar’
Fenomeni është përshkruar nga disa shkencëtarë si i jashtëzakonshëm, diçka që është kaq e rrallë, sa gjasat janë që të ndodhë vetëm një herë në miliona vjet. Por Ted Scambos, një studiues akullnajash në Universitetin e Kolorados, tha se të folurit në këto terma mund të mos jetë aq i dobishëm.
“Loja ka ndryshuar. Nuk ka kuptim të flasim për gjasat që të ndodhë siç ishte sistemi dikur, po na tregon qartë se sistemi ka ndryshuar”, tha ai.
Shkencëtarët tani po përpiqen të kuptojnë pse. Antarktida është një kontinent i largët dhe kompleks . Ndryshe nga Arktiku, ku akulli i detit ka qenë në një trajektore të vazhdueshme në rënie ndërsa kriza klimatike përshpejtohet, akulli i detit në Antarktidë është luhatur nga nivelet më të larta rekord në nivelet më të ulëta rekord në dekadat e fundit, duke e bërë më të vështirë për shkencëtarët të kuptojnë se si po reagon ndaj ngrohjes globale.
Por që nga viti 2016, shkencëtarët kanë filluar të vëzhgojnë një prirje të pjerrët në rënie. Ndërsa ndryshueshmëria natyrore e klimës ndikon në akullin e detit, shumë shkencëtarë thonë se ndryshimi i klimës mund të jetë një shtytës kryesor për zhdukjen e akullit.
“Sistemi i Antarktidës ka qenë gjithmonë shumë i ndryshueshëm. Megjithatë, ky nivel aktual i ndryshimit është aq ekstrem sa diçka rrënjësore ka ndryshuar në dy vitet e fundit, por veçanërisht këtë vit, në krahasim me të gjitha vitet e mëparshme që shkojnë të paktën 45 vjet më parë. Disa faktorë ndikojnë në humbjen e akullit të detit, duke përfshirë forcën e erërave perëndimore rreth Antarktidës, të cilat kanë qenë të lidhura me rritjen e ndotjes nga ngrohja e planetit. Temperaturat më të ngrohta të oqeanit në veri të kufirit të Oqeanit Antarktik, duke u përzier në ujin që zakonisht është disi i izoluar nga pjesa tjetër e oqeaneve të botës është gjithashtu pjesë e kësaj ideje se si të shpjegohet kjo,” tha Scambos.
Në fund të shkurtit të këtij viti, akulli i detit të Antarktidës arriti shtrirjen më të ulët që nga fillimi i regjistrimeve, në 691.000 milje katrore .
Ndodhja e paprecedentë e këtij dimri mund të tregojë një ndryshim afatgjatë për kontinentin e izoluar, tha Scambos./ CNN