Para një viti në qytetin kinez Wuhan është paraqitur rasti i parë i infeksionit, atëbotë të mistershëm.
Ishte ky fillimi i një pandemie që deri më tash ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 1.3 milionë njerëzve, ndërkohë që janë prekur me dhjetëra miliona njerëz në gjithë botën, shkruan Newsweek.
Në mars të këtij viti, gazeta kineze “South China Morning Post” botoi një shkrim të bazuar në të dhënat shtetërore të papublikuara se rasti i parë me koronavirus është regjistruar më 17 nëntor 2019. Bëhet fjalë për një 55-vjeçar nga provinca Hubei, ndonëse ai nuk është shënuar si “pacienti zero”.
Zyrtarisht, autoritetet kineze e raportuan rastin e parë më 8 dhjetor 2019.
Në javët që pasuan, qendrat shëndetësore të Wuhanit pranuan me dhjetëra pacientë që vuanin nga ndezja e mushkërive. Pacientët kishin simptoma, si temperatura e lartë, kolla dhe probleme me frymëmarrje.
Më pas sëmundja e mistershme u quajt COVID-19 bazuar në SARS CoV-2. Pas Kinës, që deri në shkurt arriti ta fusë në kontroll, COVID-19 u përhap me të madhe në Evropë e më pas edhe në SHBA e vende tjera të botës.
Më 11 mars, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli pandemi, pasi përfshiu shumë vende të botës.
Sot, kur shumë kompani farmaceutike dhe universitete po punojnë për zbulimin e vaksinës anti-COVID, pandemia është në pikën më të lartë, pasi çdo ditë po thyhen rekorde sa u përket të prekurve dhe të vdekurve.
Shifra e përgjithshme të prekurve me COVID-19 në gjithë botën, sot është mbi 54 milionë.
Vendi më i prekur është SHBA-ja me mbi 11.5 milionë të prekur dhe mbi 250 mijë të vdekur.