Së fundmi, për herë të dytë gjatë këtij viti, Banka Qendrore Europiane uli normat e interesit, në përpjekje për të nxjerrë nga plogështia rritjen e ekonomisë së Eurozonës. Një lëvizje të ngjashme pritet të ndërmarrë këtë javë edhe Rezerva Federale, duke ulur normat e interesit për herë të parë, pas një cikli shtrëngues dyvjeçar.
Megjithëse ulja e normave të interesit ka nisur, drejtuesit e bankave qendrore vazhdojnë të ndajnë shqetësimin se kjo ulje duhet të jetë e kujdesshme dhe se inflacioni mund të rezervojë përsëri “surpriza” të hidhura. Dilemat e uljes së normave të interesit kanë përfshirë tashmë edhe Shqipërinë. Në muajin korrik, Banka e Shqipërisë ndoqi Bankën Qendrore Europiane dhe uli normën bazë për herë të parë që nga viti 2020.
Vlerat aktuale të inflacionit në Shqipëri justifikojnë një lehtësim të mëtejshëm. Në muajin gusht, inflacioni zbriti në 2%, në nivelin më të ulët të tre viteve të fundit dhe poshtë objektivit prej 3% të Bankës Qendrore. Megjithatë, inflacioni bazë ngelet pak më i lartë dhe shënoi një rritje të lehtë në muajt e verës, në nivelin 2.4%.
Inflacioni bazë në përgjithësi konsiderohet si një barometër më i besueshëm i presioneve inflacioniste, sepse e zhvesh rritjen e çmimeve nga ndikimi i produkteve që për nga natyra kanë luhatshmëri të lartë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, presionet e brendshme inflacioniste, të lidhura sidomos me rritjen e kostos së punës (por ndoshta edhe me mbiçmimin e Lekut, veçanërisht në sektorët e lidhur me turizmin) ngelen shqetësuese.
Nga 2.1% që ishte inflacioni mesatar për tremujorin e dytë të këtij viti, 1.9 pikë përqindje (mbi 90% e inflacionit total) ishte kontributi i inflacionit të brendshëm.
Megjithatë, ndryshe nga sa po ndodh në Eurozonë, ecuria e aktivitetit ekonomik në Shqipëri duket më e mirë.
Ekonomia u rrit me 3.6% në tremujorin e parë, papunësia është pranë niveleve minimale historike, ndërsa pagat vazhdojnë të rriten (edhe falë shtysës nga sektori publik), megjithëse tremujori i parë i këtij viti solli ngadalësim të ndjeshëm.
Një faktor tjetër që mund të diktojë një qëndrim më të kujdesshëm është rritja e shpejtë e kreditimit.
Të dhënat tregojnë se rritja e portofolit të kredisë për ekonominë është në nivelet më të larta që prej vitit 2008. Veçanërisht kredia për pasuri të paluajtshme po shfaq një rritje shumë të lartë, që për segmentin e biznesit arrin në më shumë se 30%.
Banka e Shqipërisë e shprehu qartë shqetësimin për rritjen e shpejtë të kredisë në deklaratën e fundit të stabilitetit financiar, madje që në muajin qershor reagoi duke vendosur për herë të parë një shtesë kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit.
Një ulje e mëtejshme e normës bazë, në këtë situatë, mund të krijojë terren për rritje të mëtejshme të kreditimit, pavarësisht masave paralele prudenciale.
Në teori, ulja e normave të interesit të Lekut, që sidoqoftë janë ende më të ulëta në raport me Euron, do të ulë edhe kthimet nga produktet e kursimit dhe investimit në lekë, ndaj nuk jep incentiva për uljen e euroizimit të ekonomisë, një nga objektivat madhorë të Bankës së Shqipërisë në vitet e fundit.
Ndoshta një faktor teorik në favor të uljes së normave të interesit për Lekun mund të jetë kursi i këmbimit.
Kursi mes Euros dhe Lekut ndodhet në nivelet më të ulëta historike, nivele që kanë vendosur në sprovë sektorët eksportues të ekonomisë, ndërsa kanë ulur vlerën e kursimeve të shqiptarëve, që në pjesën më të madhe mbahen në Euro.
Banka e Shqipërisë, gjatë verës, u përpoq të mos lejonte rënien e kursit të Euros poshtë kufirit të 100 lekëve, megjithatë edhe ky kufi u thye pas muajit gusht.
Megjithatë, në rastin e Shqipërisë, ndryshimi në normat e interesit nuk duket të ketë luajtur rol përcaktues në tendencat e kursit të këmbimit. Leku ka vijuar të forcohet edhe pas vitit 2023, pavarësisht se normat e interesit të Euros kanë qenë më të larta.
Në mbledhjen e ardhshme të muajit tetor, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë duhet të vendosë në balancë këta faktorë për të vendosur nëse është e udhës të vijohet me uljen e normave të interesit.
Por tashmë po bëhet më e dukshme nevoja për të rritur në vendimmarrje peshën e ecurisë së kursit të këmbimit, më saktë të dobësimit të Euros. Teoria ekonomike dhe historia ekonomike e mjaft vendeve në zhvillim jep plot mësime për mosdobishmërinë e forcimit të vijueshëm të monedhës së vendit dhe nevojës së balancimit të disa objektivave./Monitor.al