Në kohën kur shumica e arkeologëve, bartës të projekteve për sivjet, do të ishin në vlugun e punës, pandemia e ka pamundësuar një gjë të tillë. Por ky nuk është problemi i vetëm. “Nëse sivjet përfundojmë vetëm 30 për qind të planit të punës, do të ishte e kënaqshme duke u bazuar në problemet që kemi pasur në dy vjetët e fundit, e tash edhe ato që janë shkaktuar nga pandemia. Politika po ndikon edhe në veprimtarinë institucionale, profesionale e shkencore”, ka thënë drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha. Sipas programit të punës, është projektuar që sivjet IAK-ja të zhvillojë projekte që kanë kosto prej 1.4 milionë eurosh
Në kushte normale, arkeologët e Institutit Arkeologjik të Kosovës këto ditë do të ishin duke punuar në së paku dhjetë lokalitete arkeologjike. Planet e këtij institucioni për këtë vit parashihnin gërmime, konservime, restaurime e studime të gjetjeve arkeologjike. Ulpiana, Dresniku, Vuçaku, pastaj lokaliteti i Dardanës, Artanës, Harilaqit, Marecit, Barilevës, Vendenisit ose Gllamnikut planifikohej që të mbusheshin me punonjës lokalë e profesionalë. Por marrja e masave për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit COVID-19 ka bërë që aktiviteti i arkeologëve të mbetet vetëm brenda zyrave. Pandemia nuk është problemi i vetëm i këtij institucioni. Qysh prej qershorit të vitit 2018 shfrytëzimi i buxhetit është një hall i madh edhe për Institutin Arkeologjik të Kosovës.
Pos atyre që njihen si investime kapitale, IAK-ja për sivjet ka planifikuar edhe hulumtime në mbetjet e kështjellave të Bizantit të hershëm. Në pranverë tash e disa vjet bëhen incizime për akeo-metalurgji në bashkëpunim arkeologët e Universitetit të Bochumit të Gjermanisë. Por sivjet është vënë në pikëpyetje nëse këto incizime do të bëhen edhe gjatë muajve të verës ose vjeshtës, raporton KOHA.
Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, ka thënë se në kushte normale puna do të niste në fund të marsit. Sipas tij, ende nuk dihet saktë se kur mund të zhvillohen punimet në terren. Qershori mbetet një afat preliminar për nisjen e punimeve. Sipas programit të punës është projektuar që sivjet të zhvillohen projekte që kanë kosto prej 1.4 milionë eurosh. Por Rexha ka përmendur edhe problemet me shfrytëzimin e buxhetit.
“Ne ende kemi detyrime të vitit të kaluar. Nëse na duhet material në vlerë prej 70 eurosh, detyrohemi që lënda të shkojë me tender e kjo është shumë e pakuptimtë”, ka thënë ai. Mungesa e një rregulloreje për punë në terren, sipas tij, është tjetër problem. IAK-ja ka tri vetura funksionale. Rexha ka thënë se që të tria janë të paregjistruara dhe ndodhen në parkingun e Ministrisë së Kulturës.
“Ne nuk mund të marrim material për punë pasi nuk na japin pa bërë pagesën. Aktualisht nuk kemi as material për skicim, që është një prej gjërave elementare. Edhe sikur të na lejohet puna, ne do të kemi probleme. Ne nuk mund të angazhojmë punonjës të jashtëm pasi nuk mund t’i paguajmë”, ka thënë ai.
Problemi i shfrytëzimit të buxhetit nga institucionet vartëse të MKRS-së zë fill në qershorin e vitit 2018. Asokohe ishte publikuar raporti vjetor i auditimit për MKRS-në. Zyra Kombëtare e Auditimit kishte gjetur se llogaritë e institucioneve vartëse në bankat komerciale ishin të paautorizuara nga Thesari i shtetit. Si pasojë, ato ishin mbyllur. E prej shtatorit të atij viti të gjitha pagesat bëhen nga Divizioni i Financave në MKRS. Grumbullimi i lëndëve shkakton vonesa të mëdha. Gazeta disa herë ka raportuar për borxhet e institucioneve. Madje gjashtë punonjësit e parkut të vetëm arkeologjik “Ulpiana” ngelin deri në tre muaj pa paga, pasi janë të angazhuar me kontrata njëmujore.