Disa nga artistët më të mirë të Japonisë, janë duke gjetur hapësira të reja shprehëse si komunikimi online, përderisa përhapja e koronavirusit ka ngjallur ide aq radikale si riemërimi i periudhës së “Reiwas”. Pesë artistë bashkëkohorë, përfshirë Takashi Murakami, ishin gati për të hapur ekspozitën e tyre “Stars” në “Mori Art Museum” në Tokyo, e cila ishte vonuar për disa muaj pasi që muzeu ishte mbyllur për shkak të pandemisë.
Murakami, veprat e të cilit ishin në shfaqje përfshirë skulpturat e tij ikonike “Miss Ko” dhe “My Lonesome Cowboy” e po ashtu edhe pikturat e reja 20 metra katrorë, ka thënë se e kanë zgjeruar biznesin online qëkur pandemia i detyroi në komunikim më të afërt me adhuruesit e artit të tij.
“Ekspozita e muzeut ishte shtyrë dhe ne ende nuk jemi në një situatë kur shumë njerëz mund të mblidhen, mirëpo mendoj se qeniet njerëzore kanë nevojë të komunikojnë nëpërmjet artit”, ka thënë Murakami për mediat, duke mbajtur maskën që është e detyrueshme. “Jam duke dhënë mesazhe të ndryshme të detajuara online”, ka thënë ai.
Lee Ufan, nga Koreja e Jugut, rezident në Japoni që nga viti 1950, i njohur për promovimin e lëvizjes së artit “Monoha”, e përshkruan pandeminë si një lajmërim për njerëzit mbi ndikimet në ambient. Ai theksoi përmirësimin e ajrit dhe lirinë që bota e egër ka përjetuar kur njerëzit ishin në karantinë.
“Është kjo pikë kthese kur ne duhet t’i kthehemi natyrës”, ka thënë Lee.
Fotografi, Hiroshi Sugimoto, i cili është aktiv në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga viti 1970, ka sugjeruar që të kalohet kjo faqe e pandemisë duke e riemëruar epokën e tanishme që njihet si “Reiwa”, e që filloi në maj të vitit të kaluar me një ceremoni për një perandor të ri.