Skënder Banushi sapo ka dalë në pension, por vazhdon të paraqitet në rimorkiatorin e kalatave të portit të Durrësit, ku punon prej vitesh si motorist. Pasardhës i një familjeje detarësh me origjinë nga Ulqini, Banushi punoi edhe vetë për shumë vite si marinar.
“Shumica e ulqinakëve që banojnë në Durrës kanë shërbyer si detarë në anijet tregtare,” tha Skënderi për BIRN, duke shtuar se kushtet e punës dhe neglizhenca me pagesat e sigurimeve shoqërore i detyroi shumë marinarë të largoheshin nga anijet.
Ulqinakët janë vendosur kryesisht në Shkodër dhe në Durrës, në periudha të ndryshme të gjysmës së parë të shekullit të kaluar. Mjaft prej tyre erdhën me barkat e familjes, ndërsa plot të tjerë e bënë detarinë profesionin e jetës së tyre. Prej disa dekadash, brezat e familjeve Aga, Banushi, Bilali, Broci, Brasha, Luli, Molla, Peku, Pelingu, Stari, Truma e Zenelaga e lidhën jetën me detin dhe punuan si marinarë në anijet e flotës tregtare.
Afërdita, motra e Skënderit, kujton se xhaxhai i saj, Rasimi ka punuar si kryemekanik në anijet avullore “Liria”, “Korabi”dhe Partizani”.
“Nuk kishte shkollë, por ai konsiderohej njëlloj si inxhinierët, aq i zoti ishte,” kujton Afërdita për xhaxhanë që nuk jeton më.
Edhe babai i Afërditës dhe Skënderit ka qenë kapiten në disa anije tregtare dhe kolegët ia dinë vlerat. Afërdita tha për BIRN se emigracioni pas viteve 1990 i ka shmangur ulqinakët nga detaria.
“Sipas meje, bashkë me hyrjen e anijeve private në treg dhe pas mangësive në trajtimin e marinarëve, edhe emigracioni i familjeve të detarëve është një arsye më shumë për t’u shmangur nga deti,” shtoi ajo.
Ulqinakët kanë mbërritur në Durrës në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, pasi forcat osmane ia dorëzuan Ulqinin malazezëve. Nga 69 fise që u vendosën në qytetin bregdetar, 48 janë marrë me detari – mësohet nga të dhënat e mbledhura në shoqatën “Ulqini”. Ndërsa numri i detarëve ulqinakë në Durrës brenda një shekulli ka arritur në 174.
Pasardhësit e ulqinakëve që mbërritën herët në Durrës ndoqën shkolla me drejtime të ndryshme dhe u bënë specialistë mjaft të zotë në profesionet e tyre. Por ata vazhdojnë të njihen edhe sot për anijet e vogla private që sollën me vete dhe që bashkë me kontributet e mëdha personale i vunë në dispozicion të flotës së re shqiptare
“Shumë detarë durrsakë vazhdojnë të shprehin falenderimin e tyre se u detyrohen ulqinakëve, të cilët me dëshirë u dhuruan atyre profesionin e detarit,” tha për BIRN kryetari i shoqatës “Ulqini”, Zyhni Beqiraj, duke shtuar se ta ishin krijuesit e flotës tregtare.
Disa rrugë në Durrës mbajnë emrat e kapidanëve ulqinakë “Ahmet Luli, “Ahmet Kapidani” apo “Detarët Ulqinakë”, ndërsa mjaft familje dhe detarë nga Ulqini janë nderuar me titujt “Mirënjohja e qytetit” dhe “Krenari ulqinake”. Beqiraj, i cili njihet gjithashtu si kompozitor, u ka kushtuar detarëve ulqinakë këngën “Kapidani nga Ulqini”, e cila dëgjohet në TV shqiptare dhe në ato lokale të Ulqinit.
I njohur si kapiten i anijeve transoqeanike të Flotës tregtare, Enver Gucia flet me shumë simpati për detarët ulqinakë.
“I kam njohur që në vitin 1967, kur nisa punë në flotë,” kujton ai.
“Qytetarë dhe familjarë shumë të mirë, profesionistë të mrekullueshëm dhe punëtorë të zotë, ata nuk synonin poste drejtimi, por në të njëjtën kohë nuk lejonin që dikush ti fyente në dinjitet,” shtoi ai.
Ndryshimi i regjimit, por edhe përparimi teknologjik në drejtimin e anijeve tregtare, sipas kapitenit Enver Gucia ndikoi në tërheqjen e ulqinakëve nga profesioni i detarit.
“Shumë pak prej tyre ndoqën studimet në shkollën e marinës,” tha tha Gucia.
Tetë kilometra larg qendrës së qytetit, në rimorkiatorin që është stacionuar në Porto Romano, gjejmë Alban Brashën, edhe ai bir detari ulqinak.
“Babai im, Fehmiu ka punuar gjithë jetën në det. Edhe tani kokën atje e ka,” tha Albani, duke përdorur një shprehje durrsake.
Për një shekull, malli i ulqinakëve për Ulqinin, vendin e të parëve të tyre ka qenë i përhershëm. Kur anijet shqiptare ngjiteshin drejt porteve të veriut në Adriatik, sekush gjente një mënyrë për ta ndjerë më afër qytetin e lindjes.
Enver Gucia, pensionist prej vitesh, kujton se po lundronte si oficer i dytë përballë Ulqinit me anijen që e drejtonte kapiten Ilmi Banushi.
“Frynte erë e fortë dhe e pashë të arsyeshme t’i afrohesha më shumë brigjeve. Por më shumë se sa kushtet detare, ky ishte një justifikim që kapiteni im ulqinak ti afrohej edhe më shumë qytetit të tij,” tregon Gucia ngjarjen që ka ndodhur një gjysëm shekulli më parë.
Deri në vitin 1990, kur Shqipërinë dhe ish-Jugosllavinë i mbante të ndara politika, edhe detarët nga Ulqini nuk kishin mundësi të takonin të afërmit e tyre matanë kufirit. Tashmë shumë gjëra kanë ndryshuar. Afërdita Banushi thotë se shkojnë shpesh në Ulqin për të takuar të afërmit e tyre si dhe ndjekin rregullisht aktivitetet e shoqatës “Ulqini” – në Durrës dhe atje. Megjithatë, pasardhësja e familjes së detarëve e ka një keqardhje.
“Na vjen keq që nuk u vu në linjë katamarani detar që lidh dy qytetet tona. U bënë disa marrëveshje për lidhjen detare mes dy qyteteve, por pa frut. Do t’i bënte shumë mirë marrëdhënieve turistike mes Durrësit dhe Ulqinit,” përfundoi Afërdita Banushi.
/ Reporter.al