Partia Demokratike e Elbasanit padit në prokurori drejtorin e ISHSH në Elbasan, Blendi Musai.
PD e akuzon Musain se u ka shpërndarë punonjësve një formular për mbledhjen e votave për PS.
“Ky është Formulari i mbledhjes së votave për Partinë Socialiste i shpërndarë nga Drejtori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor Elbasan Blendi Musai, tek punonjësit nën varësinë e tij. Ky është krim dhe abuzim i rëndë me detyrën. Partia Demokratike Elbasan dënon këtë akt kriminal të Blendi Musait dhe e garanton se do të përballet me forcën e ligjit, pa asnjë hezitim. Gjatë ditës së sotme kemi përcjell të dhënat e plota për kallëzimin e tij në prokurori për kryerjen e veprës penale të parashikuar në nenin 328/a “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” të Kodit Penal”.
Partia Demokratik Elbasan garanton të gjithë punonjësit e administratës publike që nuk angazhohen në veprimtari politike dhe nuk bien pre e presionit të paligjshem, se asnjë akt shantazhi apo largimi nga puna për qëllime elektorale nuk do të njihet nga Qeveria e re e Partisë Demokratike e dalë pas zgjedhjeve të 25 Prillit 2021.