Pandemia me COVID-19 edhe më tej mbetet rreziku më i madh për njerëzimin. Pandemia si kërcënim sistemor kërkon përgjigje sistematike. Duhet të punojmë së bashku për sisteme të qëndrueshme shëndetësore. Kështu deklaroi shefi i shtetit Stevo Pendarovski në sesionin special të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kushtuar pandemisë së Kovid-19, që u mbajt mbrëmë sipas kohës së Evropës Qendrore.
“Familjet kanë humbur anëtarë të dashur, kurse komunitetet vërtetë janë lëkundur. Kjo krizë shëndetësore është përhapur në sektorë të tjerë të shoqërive tona, ku ekonomitë tona pësojnë humbje veçanërisht të mëdha. Me dimensionet e saj shëndetësore, ekonomike, sociale, humanitare dhe të sigurisë, pandemia ka testuar vendet tona në mënyra të papara dhe na kujtoi se sa të lidhur jemi me njëri-tjetrin”, tha Pendarovski.
Pendarovski më tej deklaroi se sfida të mëdha do të mbesin edhe në periudhën pas COVID-it. Por, rimëkëmbja thotë se duhet të ndodh në mënyrë që të përmirësohet situata botërore.
“Rruga drejt rimëkëmbjes socio-ekonomike, madje edhe mendore do të jetë e gjatë dhe e komplikuar për shumicën prej nesh. Njerëzimi duhet të rimëkëmbet në mënyrë që të rinovojë botën në të cilën asnjë qenie njerëzore nuk do të anashkalohet”, tha ai.
Në sesionin, që po mbahet si pjesë e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, morën pjesë më shumë se 150 krerë të shteteve, qeverive dhe ministra.