Mao Ce Duni është njëri nga udhëheqësit më brutalë të kohëve moderne. Ai ishte kryetar i Republikës Popullore të Kinës mes viteve 1954-1959 dhe mes viteve 1943-1976 kryetar i Partisë Komuniste të Kinës.
Me fushatat e tij të quajtura “Kërcimi i Madh Përpara” dhe “Revolucioni Kulturor”, ai u përpoq të modernizonte ekonominë dhe shoqërinë e Kinës. Rezultati doli ndryshe: rreth 70 milionë të vdekur, nga dhuna dhe uria.
Në biografinë e Jung Chang dhe Jon Halliday, lideri kinez përshkruhet si vrasësi më i madh masiv në histori dhe si sadist. Autorja dhe autori kanë punuar 12 vjet në këtë biografi. Ajo përmban gati një mijë faqe dhe është një minierë me të dhëna të jashtëzakonshme, por nga lexuesi kërkon shumë durim për t’i shkuar në fund.
Në këtë tekst do të koncentrohemi në raportet mes Republikës Popullore të Kinës dhe Shqipërisë.
Beteja për ishullin e Sazanit
Në prill të vitit 1959, ministri i Mbrojtjes i Kinës, Peng Dehuai, u nis për një vizitë në shtetet e Evropës Lindore. Ai po përpiqej të siguronte përkrahjen nga jashtë për të kundërshtuar Maon, politikat e të cilit po shkaktonin të vdekur nga uria.
Lideri stalinist i Gjermanisë Lindore, Walter Ulbricht, e pyeti Pengun nëse Kina mund të dërgonte më shumë mish. Qëllimi i Ulbricht ishte që Gjermania Lindore të arrinte nivelin gjermanoperëndimor të konsumit prej 80 kilogramësh mish për kokë banori gjatë vitit.
Pas takimit, Peng u tha bashkëpunëtorëve të tij: “Athua çka do të mendonte populli ynë po ta dinte se do të duhej t’u ndihmonte të tjerëve që kanë 80 kilogramë mish në vit?” Pas Berlinit Lindor, Peng vizitoi Pragën, për të arritur në cakun e fundit të vizitës së tij: në Shqipëri. Kur mbërriti në Tiranë, më 28 maj 1959, Peng mori vesh se në kryeqytetin shqiptar sapo kishte ardhur lideri sovjetik Nikita Hrushçov. Kjo ishte vizita e parë e Hrushçovit në Shqipëri.
Megjithatë, siç shkruajnë Jung Chang dhe Jon Halliday, ministri i Mbrojtjes i Kinës dhe udhëheqësi komunist sovjetik nuk u takuan në Tiranë, sepse Hrushçovi nuk kishte përkthyes të gjuhës kineze me vete.
Hrushçovi kishte ardhur në Shqipëri pasi regjimi komunist po i ofronte Moskës ishullin e Sazanit, një vend i përshtatshëm për të stacionuar nëndetëse në zemër të Mesdheut. Edhe misioni i Peng ishte të bindte palën shqiptare që Sazanin t’ia jepte palës kineze. Më 29 maj, Peng u zgjua në orën pesë e gjysmë dhe mori rrugën për në Vlorë. Por vizita e Hrushçovit e pengoi marrëveshjen shqiptaro-kineze. Kur Shqipëria i prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, u shtrua edhe çështja e nëndetëseve sovjetike.