Popullsia botërore parashihet të arrijë në 11,2 miliardë në vitin 2100
Popullsia e botës, e cila aktualisht numëron 7,79 miliardë banorë, mund të tejkalojë shifrën 11 miliardë në fund të shekullit, tregojnë parashikimet bazuar në të dhënat e përditësuara dhe trendet rajonale të rritjes dhe zvogëlimit të popullsive
Çdo vit, 11 korriku shënohet si “Dita Botërore e Popullsisë” me qëllim për të tërhequr vëmendjen mbi problemet që kanë të bëjnë me popullsinë. Kjo ditë shënohet që nga viti 1989, kur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së u miratua propozimi i paraqitur nga Programi Zhvillimor i OKB-së (UNDP).
Sipas të përpilimit të kryer nga Anadolu Agency (AA), bazuar në të dhënat e OKB-së në lidhje me gjendjen aktuale të popullsisë botërore dhe trendet rajonale të rritjes dhe zvogëlimit, popullsia e botës, e cila para dy mijë viteve ishte 300 milionë dhe sot numëron 7,79 miliardë, mund të shkojë në mbi 11 miliardë në fund të këtij shekulli.
Gjersa popullsia botërore ishte 600 milion në vitin 1600, ajo arriti në 1 miliard më 1804, në 2 miliardë më 1927, 3 miliardë më 1961 dhe në 4 miliardë në vitin 1971. Rritja e shpejtë e popullsisë vazhdoi kur në vitin 1987 arriti në 5 miliardë, në vitin 1999 në 6 miliardë dhe në vitin 2011 në 7 miliardë.
Veçanërisht me efektin e rritjes së shpejtë të regjistruar pas vitit 1950, popullsia botërore së fundmi është rritur me 1 miliard çdo 12 vjet.
Aktualisht, në botë jetojnë 7 miliardë e 795 milionë njerëz. 25,4 për qind e popullsisë është nën 15 vjeç, 23,7 përqind 10-24 vjeç dhe 9,3 përqind janë mbi 65 vjeç.
Sipas një raporti të OKB-së të vitit 2019, i cili përfshinte trendet për popullsinë botërore deri në fund të shekullit, popullsia botërore, e cila ishte 5,3 miliardë në vitin 1990 dhe 7,3 miliardë në vitin 2015, parashihet të arrijë në 8,5 miliardë në vitin 2030, 9,7 miliardë në vitin 2050 dhe në 11,2 miliardë në vitin 2100.
Pjesa më e madhe e popullsisë botërore, në Azi
Rreth 60 për qind (4,7 miliardë) e popullsisë së botës sot jetojnë në Azi, 17 për qind (1,3 miliard) në Afrikë, 10 për qind në Evropë (750 milionë), 8 për qind (650 milionë) në Amerikën Latine dhe Karaibe dhe pjesa tjetër prej 5 për qind (370 milionë) jetojnë në Amerikën e Veriut dhe Oqeani (43 milionë).
Kina, me rreth 1,4 miliardë njerëz, dhe India, me një popullsi prej 1,3 miliardë banorë, janë dy vendet më të populluara në botë, ndërsa si kontinent, Azia është më i populluari.
Parashikimet tregojnë se India do të tejkalojë popullsinë e Kinës dhe do të bëhet vendi më i populluar në botë në vitin 2027.
Vendi me dendësinë më të ulët të popullsisë në gjithë botën është Mongolia, ku 3 milionë njerëz jetojnë në një sipërfaqe prej 1.564.116 kilometrash katrorë.
Pritet tkurrje e popullsisë evropiane, rritje në Afrikë
Popullsia e disa vendeve supozohet se do të ulet me më shumë se 15 për qind deri në vitin 2050, duke përfshirë Bosnjë dhe Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Hungarinë, Japoninë, Letoninë, Lituaninë, Moldavinë, Rumaninë, Serbinë dhe Ukrainën.
Më shumë se gjysma e rritjes globale të popullsisë që do të regjistrohet deri në vitin 2050 në gjithë botën pritet të ndodhë në Afrikë, ndërsa në Afrikën Sub-Sahariane popullsia pritet të dyfishohet deri në vitin 2050.