Presidenti Bajram Begaj mori pjesë në 70-vjetorin e shugurimit meshtarak të Hirësisë së Tij, Kardinal Ernest Simoni.
Në ceremoninë e zhvilluar në katedralen e Firences “Santa Maria del Fiore”, Presidenti Begaj vlerësoi figurën e Kardinal Ernest Simonit si një simbol të qëndresës, besimit dhe sakrificës, një
“martir i gjallë”.
“Historia Juaj është dëshmi e gjallë se asnjë regjim nuk mund të shfarosë besimin dhe dinjitetin njerëzor. Historia Juaj, Kardinal Ernest Simoni, na mëson se besimi nuk matet në kohë të qeta, por në kohë sprove dhe se dinjiteti i njeriut nuk varet nga rrethanat, por nga qëndrimi që ai mban përballë tyre”, u shpreh Presidenti në mesazhin për 70-vjetorin e shugurimit të Kardinal Simonit, ku nderoi edhe sakrificën e klerikëve gjatë diktaturës dhe të 38 martirëve katolikë të lumturuar.
Mesazhi i Presidentit të Republikës në 70-vjetorin e meshtarisë së Kardinal Ernest Simoni.
“Është nder i veçantë dhe një emocion i pashpjegueshëm me fjalë të jem sot këtu, në zemër të Firences, në katedralen “Santa Maria del Fiore”, për të nderuar një bir të shquar të kombit shqiptar, një apostull të qëndresës dhe simbol botëror të lirisë së ndërgjegjes, Martirin e gjallë, Kardinal Ernest Simoni.
70-vjetori i shugurimit meshtar të Kardinal Ernest Simoni është një moment që na fton të reflektojmë mbi një jetë të tërë në shërbim, mbi një rrugëtim të gjatë të përshkuar me përkushtim e besim, mbi një histori që provoi se drita nuk mposhtet nga errësira dhe mbi vlera që i japin kuptim shoqërisë sonë.
Shqipëria ka kaluar një nga periudhat më të errëta të saj në diktaturë. Një diktaturë që i shpalli luftë zotit, lirisë dhe dinjitetit njerëzor dhe vetë lirisë së besimit, ku Kisha dhe komuniteti katolik ishin ndër më të goditurit.
Historia Juaj, Eminencë Kardinal Simoni, nuk është vetëm historia e një njeriu. Është historia e të gjithë atyre që vuajtën nën persekutimin komunist, ndoshta persekutimin më të ashpër fetar që ka njohur bota moderne. Është historia e 38 martirëve të lumnuar, të peshkopëve dhe priftërinjve të pushkatuar, të bashkëkombësve tanë të mbytur, të varrosur gjallë, të torturuar deri në vdekje vetëm e vetëm se besonin te Zoti.
Historia Juaj është dëshmi e gjallë që asnjë regjim nuk mundi ta shfarosë besimin dhe dinjitetin njerëzor.
Historia Juaj, Kardinal Ernest Simoni, na mëson se besimi nuk matet në kohë të qeta, por në kohë sprove dhe se dinjiteti i njeriut nuk varet nga rrethanat, por nga qëndrimi që ai mban përballë tyre.
Sot, Shqipëria është një vend tjetër. Një vend i lirë, që respekton besimin dhe dinjitetin njerëzor, ku bashkëjetesa dhe harmonia ndërfetare është një nga vlerat më të çmuara dhe më të bukura që kemi.
Kjo harmoni ndërfetare është përgjegjësi e përditshme dhe pasuri që duhet ta ruajmë, ta kultivojmë dhe ta përcjellim me krenari te brezat e ardhshëm.
Por kjo liri nuk erdhi vetë. Ajo ka emra, ka histori, ka sakrifica. Dhe një nga këta emra është pa dyshim, Kardinali Ernest Simoni.
Në vitin 2014, në Shqipëri, Papa Françesku dëgjoi dëshminë e Kardinal Ernest Simonit, e cila preku jo vetëm Atin e Shenjtë, por mbarë botën. Lotët e Atit të Shenjtë, ishin nderim për një jetë të kaluar në vuajtje. Pa urrejtje. Pa hakmarrje. Me përulësi.
Vendimi për ta ngritur në dinjitetin e kardinalit ishte një akt i thellë mirënjohjeje dhe vlerësimi jo vetëm për një njeri, por për një histori. Për një histori dëshmi e gjallë qëndrese, shprese, besimi, dinjiteti njerëzor.
Në momente si ky, ku historia, besimi dhe njeriu takohen, kujtojmë se madhështia nuk qëndron te fuqia apo fama, por te përulësia. Zakoni shqiptar na mëson se njeriu bëhet i madh jo kur merr, por kur jep; jo kur sundon, por kur shërben; jo kur flet shumë, por kur vepron drejt, jo kur dorëzohet, por kur ka forcë për të qëndruar për të drejtën, jo kur tregon hipokrizi, por kur tregon integritet.
Kardinal Ernest Simoni është një model i gjallë i këtyre vlerave.
Në 70-vjetorin e shugurimit Tuaj priftëror, Shqipëria Ju falënderon jo me fjalë protokollare, por me zemër!
Jemi me fat që Ju kemi midis nesh!
Me fat që shqiptarët kanë një Kardinal si Ju.
Dhe mbi të gjitha, me fat që përmes jetës Suaj kemi një model që frymëzon, në të njëjtën traditë frymëzuese me shqiptaren Nënë Tereza, duke dëshmuar se madhështia qëndron në shërbimin dhe në dashurinë për tjetrin.
Një falënderim i veçantë shkon për Selinë e Shenjtë dhe për Atin e Shenjtë, Papa Leo XIV, për bekimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Shprej një falënderim të sinqertë për organizatorët e këtij aktiviteti, për përkushtimin dhe kujdesin në ruajtjen e kësaj kujtese të çmuar dhe në përcjelljen e saj te shoqëria dhe brezat e rinj.
Të jetë kjo ditë jo vetëm një nderim për të kaluarën, por edhe një angazhim për të ardhmen, për të ruajtur vlerat, për të mbrojtur dhe për të ndërtuar një shoqëri më njerëzore, më të drejtë, më të paqtë dhe më të lirë në mendim, besim e veprim.
Sot është një ditë mirënjohjeje për një jetë të jetuar në shërbim, për një dëshmi që mbetet pjesë e ndërgjegjes universale dhe për një shembull që vazhdon të flasë jo vetëm sot, por edhe nesër.
I uroj Hirësisë së Tij, Kardinal Ernest Simonit, shëndet, paqe dhe jetë të gjatë.

