Një projektligj në Irak që do të lejonte martesën e vajzave nëntë vjeç, ka provokuar protesta në të gjithë vendin, me aktivistë të të drejtave të grave që thonë se ai do të “legalizonte përdhunimin e fëmijëve”.
Grupet fetare shiite që dominojnë sistemin politik në Irak kanë çuar drejt shtypjes së të drejtave të grave për më shumë se një dekadë.
Ndryshe nga Arabia Saudite, Iraku nuk ka një sistem të tillë që u kërkon grave të kenë lejen e një burri për të marrë vendime kyçe në jetë, siç është martesa.
Megjithatë, propozimi i ri, i cili kaloi në lexim të parë në Parlament, do t’u jepte autoriteteve fetare fuqinë të vendosin për çështjet familjare, përfshirë martesën, shkurorëzimin dhe kujdesin për fëmijë.
“Kjo është katastrofë për gratë”, ka thënë Raya Faiq, koordinatore e koalicionit të grupeve që kundërshtojnë ndryshimin e ligjit. Ky grup përfshin disa deputetë irakianë.
“Bashkëshorti dhe familja ime kundërshtojnë martesën e fëmijëve. Por, imagjino vajza ime të martohet dhe bashkëshorti i saj ta martojë mbesën time si fëmijë. Ligji i ri do t’ia lejonte atij këtë. Nuk do të më lejohej të kundërshtoj. Ky ligj e legalizon përdhunimin e fëmijëve”.
Gjatë protestave këtë javë në Bagdad dhe qytete të tjera, mbështetësit e ligjit u konfrontuan me kundërshtuesit dhe i akuzuan për “ndjekje të agjendave perëndimore”.
Edhe pse Iraku i ka bërë të jashtëligjshme martesat nën moshën 18 vjeç që nga viti 1950, një statistikë nga agjencia për fëmijët e Kombeve të Bashkuara, UNICEF, gjeti se 28% e vajzave në Irak ishin martuar para se të mbushnin 18 vjeç.
Një bllok prej 25 grash deputete në parlament janë përpjekur ta ndalojnë projektligjin që të vendoset për lexim të dytë, por kanë thënë se përballen me kundërshtim të fuqishëm.