Presidenca çeke e Bashkimit Evropian propozoi, si mjetin e fundit, pezullimin e regjimit të udhëtimit pa viza për Shqipërinë dhe Serbinë në mënyrë që të reduktohet numri i emigrantëve të paligjshëm që vijnë në BE nëpërmjet Ballkanit Perëndimor.
Fakti që Shqipëria dhe Serbia kurrë nuk i kanë harmonizuar plotësisht politikat e tyre të vizave me BE-në, edhe pse ato lëvizin pa viza në zonën Schengen, “kontribuon në rritjen e numrit të emigrantëve të paligjshëm që hyjnë në BE përmes asaj rruge” paralajmëroi Presidenca çeke në një dokument të cilin EUobserver e kishte publikur së fundi.
“Në veçanti, shtetasit e Turqisë, Tunizisë, Indisë, Kubës dhe Burundit hyjnë legalisht (pa viza) në rrugë ajrore në Serbi (dhe nga disa prej këtyre vendeve edhe në Shqipëri) dhe një numër shumë i madh i tyre shkojnë në mënyrë të parregullt në vendet anëtare të BE-së. thuhet”, thuhet në dokument.
“Qytetarët indianë vijnë ilegalisht në BE ekskluzivisht përmes rrugës së Ballkanit Perëndimor. Kjo vlen edhe për qytetarët e Kubës”, thuhet në dokument dhe theksohet se “numri i tunizianëve dhe turqve që vijnë në këtë mënyrë po rritet ndjeshëm”.
Dokumenti i Presidencës Çeke propozon disa masa për uljen e numrit të emigrantëve të paligjshëm.
Një prej tyre është presioni diplomatik ndaj Shqipërisë dhe Serbisë për të harmonizuar politikën e vizave me atë të BE-së.
“Në rast se përpjekjet diplomatike dështojnë, BE-ja duhet të jetë gati dhe të shqyrtojë një listë të masave të tjera që mund të përdoren, duke përfshirë edhe në kontekstin e mekanizmit të pezullimit të vizave”, theksohet tutje.
Ndërkaq, gjatë presidencës së saj me Këshillin e BE-së, Republika Çeke dëshiron të avancojë agjendën e Ballkanit Perëndimor, e në veçanti liberalizimin e vizave për Kosovën.
Por, në media është raportuar, me burime, se gjatë diskutimeve në mbledhjen e Grupit Punues për vizat, nga përfaqësuesi i Francës është përmendur edhe funksionalizimi i sistemit për siguri në Evropë që njihet si ETIAS.
Sistem ky që u kërkohet vendeve që tashmë udhëtojnë pa viza në zonën Schengen. Sipas Agjencisë Evropiane të Kufirit dhe Rojës Bregdetare (Frontex), rreth 1,4 miliardë udhëtarë nga vendet që lëvizin lirshëm në Shengen do të preken nga ky rregull i ri.
Në mesin e këtyre vendeve që do t’i nënshtrohen kësaj procedure autorizuese, janë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës e cila edhe ashtu nuk mund të udhëtojë lirshëm në Evropë, pa u pajisur së pari me vizë.
Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja e Hercegovina, preken nga kjo masë. /Albanianpost.com