Kërkesa e ish-presidentit Trump për të blerë ishullin më të madh në botë, Greenlandën, solli vite më parë debat dhe habi të madhe. Propozimi që erdhi nga Shtëpia e Bardhë u hodh poshtë nga Danimarka. Hamendësimet ishin për një strategji afatgjatë amerikane. Por dy gazetarët amerikanë të New York Timesit dhe New Yorkerit thonë se ky ishte thjesht një mendim që Trumpit ja futi në mendje miku i tij biznesmen.
Në vitin 2019, një propozim i Trumpit për të blerë ishullin më të madh në botë, Greenlandën, solli në shtyp dhe në qarqet politike debat të madh.
Sipas disa ekspertëve ky ishte një vendim strategjik i presidentit amerikan duke qenë se ishulli po tërhiqte edhe vëmendjen e Kinës. Por për kundërshtarët demokratë të Trumpit, kjo ishte një nga gafat e tij të radhës.
Së fundmi, dy gazetarët amerikanë, Peter Baker i “New York Times” dhe Susan Glasser nga “The New Yorker”, shkruajnë se ishte një mik i Trumpit që e shtyu atë të kërkonte ta blinte ishullin.
Ronald Lauder, mik i Trumpit dhe President i Kongresit Botëror Hebre ishte personi që ja shtiu në mendje ish-presidentit blerjen e ishullit nga Danimarka.
Sapo u artikulua kjo ide, ishte i menjëhershëm reagimi i Danimarkës duke e cilësuar si ide absurde dhe se ishulli nuk ishte për shitje.
Debati mbetet i hapur nëse ishte një vendim i mirëmenduar strategjik apo vendim i momentit.
Biznesmeni amerikano-hebre Ronald Lauder ka shërbyer edhe si këshillëtar i Trumpit për të zgjidhur disa nga problemet e Lindjes së Mesme.
Lauder ishte njëra nga figurat e shquara që këshilluan Trumpin se si të zgjidhte konfliktin izraelito-palestinez , duke i kërkuar atij të investonte në negociata serioze që do të çonin në krijimin e një shteti palestinez.
Amerika ka blerë edhe më herët territore nga vende të tjera. Në vitin 1803, Thomas Jeffersoni bleu nga Franca për 15 milion dollarë Luizianën.
Në vitin 1867, Andreë Johnson pagoi 7.2 milion dollarë për Alaskën nga Rusia. Territor është blerë edhe nga Danimarka. Në vitin 1917 Woodrow Wilson bleu për 25 milionë dollarë Ishujt e Virgjër.