Rama thumbon Farage nga Londra: Më kërkoi 28 Nëntorin për të vizituar Shqipërinë, por i thash do dukesh i vogël para Heroit tonë Kombëtar

albnews
By
2 Min Read

Nga Londra, Kryeministri Edi Rama nuk la pa përmendur edhe politikanin britanik Nigel Farage, me të cilin ka pasur përplasje të përsëritura në distancë, lidhur me numrin e shqiptarëve të dënuar në Britani.

Kryeministri Rama bëri të ditur se Nigel Farage ka pranuar ftesën për të vizituar Shqipërinë, por kishte propozuar si datë 28 nëntorin, Ditën e Pavarësisë. Me ironi, Rama tha se e kishte refuzuar këtë datë, pasi Nigel do të dukej “shumë i vogël” përballë Heroit tonë Kombëtar.

Kur bëhet fjalë për mikun tim të dashur, Ngel, e kam ftuar. Më ka premtuar edhe publikisht që do të vijë. Më kërkoi një datë që përkon me ditën tonë të pavarësisë dhe i thash: Nigel, më mirë të gjejmë një datë tjetër sepse në qoftë se vjen do të duhet të përballesh me Heroin tonë Kombëtar dhe dukesh shumë i vogël,” u shpreh Rama.

Duke folur për politikën britanike, Rama theksoi se nuk i takon Shqipërisë të gjykojë zgjedhjet e brendshme të vendeve të tjera, por vuri në dukje dallimin mes retorikës opozitare dhe përgjegjësisë qeverisëse.

E kemi parë më shumë se njëherë që puna e qeverisë është diçka krejt ndryshe nga poezia në opozitë. Nuk shoh problem kur vjen fjala për të bashkëpunuar me këdo,” tha ai.

Në përfundim, Rama e cilësoi Farage-in si një figurë që pasqyron probleme më të thella në shoqërinë britanike.

Farage nuk është problemi. Farage është një pasqyrë e problemeve, i cili ka një aftësi teatrale për të qenë tërheqës, por problemet qëndrojnë tjetërkund,” përfundoi Kryeministri.

Rama mbajti fjalën e tij në panelin e “Chatham House” me temën “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian.

Share This Article