Dalin dyshime të reja në lidhje me vdekjen e para tre viteve të aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Deharit në burgun e Prizrenit.
Prokuroria e Prizrenit sot ka publikuar raportin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, e cila rekomandon një hetim të ri për rastin ku sic thuhet duhet të merret parasysh edhe intervenimi i një personi të tretë në vdekjen e 26 vjeçarit Dehari.
Raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës thotë “Ashtu siç është thënë në ekspertizën tonë El180001, ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së z. Astrit Dehari. Në fakt hipoteza e një vetëvrasjeje e z. Astrit Dehari përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjor duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të merret parasysh”.
Përfaqësuesi ligjor i familjes Deharit, Tomë Gashi, ka thënë se Astriti është vrarë vetëm për shkak se ka qenë aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Astrit Dehari është vrarë vetëm për shkak të përkatësisë partiake, vetëm që ka qenë aktivist i Vetëvendosjes”, tha Tomë Gashi.
Familjarët e Astrit Deharit kërkojnë që organet e drejtësisë në Kosovë t’i qasen seriozisht hetimit dhe t’i nxjerrin para drejtësisë të gjithë ata që kanë pasur gisht në vdekjen e djalit të tyre.
Menjëherë pas publikimit të raportit nga Zvicra, Prokuroria e Shtetit ka paralajmëruar se do të vazhdojnë hetimin duke mos përjashtuar edhe një super-ekspertizë në bashkëpunim me ndërkombëtarët.
Prokuroria e Shtetit të Kosovës thotë “Bazuar në të gjeturat e këtij raporti, Prokuroria do të vazhdoj me hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, nëse është e domosdoshme do të bëhet një super-ekspertizë jashtë vendit në bashkëpunim dhe koordinim me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që të sqarohen rrethanat dhe shkaktarët e vdekjes”.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kërkojnë përgjegjësi nga gjithë personat e përfshirë, duke mos anashkaluar edhe funksionarët shtetërorë që aso kohe kanë dezinformuar se Astriti e ka përfunduar jetën e tij me vetëvrasje. Astrit Dehari u fut në paraburgim për akuzën se me minahedhës ka sulmuar Kuvendin e Kosovës. Prokuroria asnjëherë nuk arriti të dëshmojë një gjë të tillë. Ai ndërroi jetë më 11 maj të vitit 2016, në qelinë ku po mbahej i izoluar.