Pasi fitoi Ligën e Kampionëve tre vjet rresht, Real Madridi ka kaluar tre vjet pa trofeun më të çmuar evropian. Dhe tani detyra e trajnerit Carlo Ancelotti është për ta kthyer skuadrën aty ku e ka vendin – në majë të Evropës.
Reali arriti në gjysmëfinale sezonin e kaluar, por u eliminua nga Chelsea. Ndërkohë në dy edicionet e mëparshme, madrilenët u eliminuan në 1/8 e finales nga Manchester City, përkatësisht Ajaxi. Ishte ky një realitet i hidhur për ekipin që pati suksese të mëdha në këtë garë mes viteve 2014 dhe 2018. Katër suksese në atë gjysmë dekade, dhe tri me radhë, e vendosën Real Madridin në krye të Evropës, pavarësisht që Barcelona vazhdoi të mbretërojë në Spanjë.
Një sukses të tillë në Champions po e synon edhe trajneri Ancelotti, i cili u rikthye në Madrid për ta zëvendësuar Zinedine Zidanen, që u largua në fund të sezonit të shkuar. Ancelotti ka një punë të vështirë për të rimarrë La Ligën nga Atletico Madridi. Por, detyra për të rimarrë Ligën e Kampionëve duket edhe më e frikshme, kur vendoset përballë rivalëve anglezë, si Manchester City, Chelsea e Manchester United, si dhe skuadrave të tjera si Paris Saint-Germaini.
Kampanjën në Champions, Reali e nis në udhëtim kundër kampionit në fuqi të Italisë, Interit. Kjo ndeshje zhvillohet të mërkurën, prej orës 21:00 dhe i takon Grupit D, të cilin e përbëjnë edhe Sheriff Tiraspoli e Shakhtar Donetsku.
Me Ancelottin në krye, Reali tashmë ka dhënë sinjale të ringjalljes. Me 13 gola të shënuar në katër ndeshjet e para në La Liga, Reali ka paralajmëruar se në secilën garë do të luftojë për trofe, përfshirë edhe Championsin.
“Futbolli ka ndryshuar në pesë vjetët e fundit, është më intensiv, më agresiv, më i organizuar, madje edhe disa rregulla kanë ndryshuar. Por ideja është gjithmonë e njëjtë për Real Madridin, pra të luajë futboll sulmues, sepse kjo është ajo që kërkon historia e këtij klubi dhe që duan tifozët”, ka thënë Ancelotti. “Në Champions nuk ka favorit, por ne kemi ekip të mirë dhe do të luftojmë për ta fituar këtë trofe. Synimi është të startojmë me një rezultat të mirë pasi duam të kalojmë përtej fazës së grupeve. Interi po luan me ide të reja dhe ka lojtarë të mirë. Është një ekip që luan mirë dhe ka formë fantastike për momentin. Do të jetë një ndeshje shumë e hapur”.
Pra testi i parë i vështirë për Realin këtë sezon është skuadra e Interit, që në tri ndeshjet e para të kampionatit italian ka tubuar shtatë pikë. Trajneri i Interit, Simone Inzaghi ka insistuar se ekipi i tij është përgatitur për derbin e grupit. Ai ka shtuar se Interit i duhet një paraqitje perfekt përballë Realit.
“Nuk dua të flas për sezonin e kaluar, por këtë sezon kemi mundësinë të avancojmë përtej fazës së grupeve. Është një grup i vështirë, por mund të kalojmë. Ndaj Realit, i cili drejtohet nga një trajner i madh, kemi nevojë për një paraqitje madhështore. Interi nuk ka avancuar përtej fazës grupore prej vitit 2011, por ndaj Realit do të startojmë me synimin për të arritur një gjë të tillë”, ka thënë Inzaghi, i cili para fillimit të këtij edicioni e zëvendësoi Antonio Conten në krye të Interit.
Duel tjetër interesant të mërkurën mbrëma do të zhvillohet në stadiumin “Anfield Road”, ku Liverpooli e pret skuadrën e Milanit në kuadër të Grupit B. Në këtë ndeshje do të përballen dy ekipe, që së bashku e kanë fituar 13 herë trofeun evropian. Gjithashtu është një përsëritje e finales së vitit 2005 në Stamboll, ku Liverpooli e fitoi ndeshjen pas penalltive edhe pse ishte në disavantazh 3:0 në pjesën e parë. Milani iu hakmor Liverpoolit për këtë humbje, kur e mposhti 2:1 në finalen e vitit 2007 të luajtur në Athinë.
“Ky është grupi më i fortë në të cilin kam marrë pjesë ndonjëherë në Ligën e Kampionëve prejse jam në krye të Liverpoolit. Kemi kundërshtarë të fortë dhe ndeshje shumë të vështira, duke filluar nga përballja me Milanin”, ka pranuar trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp. “Milani ka një histori të madhe dhe ka qenë gjithmonë konkurrues. Gjithmonë kam dashur të luaj ndaj skuadrave të mëdha dhe kjo është një mundësi e shkëlqyer për ne”.
Pjesë e këtij grupi janë edhe Atletico Madridi e Porto, që do të përballen mes vete po ashtu prej orës 21:00, të mërkurën.
B O X *****
T: E mërkurë
Grupi A
C. Brugge – PSG (21:00)
Man. City – Leipzig (21:00)
Grupi B
Atl. Madrid – Porto (21:00)
Liverpool – Milan (21:00)
Grupi C
Beshiktash – Borussia D. (18:45)
Sporting – Ajax (21:00)
Grupi D
Sheriff – Shakhtar D. (18:45)
Inter – Real Madrid (21:00)