Rikthimi në Hënë, raketa gjigante e NASA-s është gati për lëshim

 2,869 total views,  1 views today

Agjencia Hapësinore Amerikane, NASA ka bërë gati për lëshim raketën e re gjigande “Artemis I” që do të mundësojë rikthimin e njerëzve në Hënë. E njohur si Sistemi Hapësinor i Lëshimit, anija kozmike me në majë një kapsulë pa astronautë, u drejtua për në Qendrën Hapësinore Kennedy në Florida.

Motorët që do ta dërgojnë në Hënë do t’i ndezë më 29 gusht. Ky do të jetë një test i rëndësishëm pa ekuipazh në bord, ndërsa misionet e radhës të kësaj rakete do të dërgojnë astronautë në sipërfaqen hënore për herë të parë në 50 vite.

Anija kozmike ka një gjatësi thuajse 100 metra, dhe u deshën afërsisht 10 orë për ta dërguar në zonën e lëshimit. Ky është një moment i rëndësishëm për NASA-n, agjenci e cila në dhjetor përkujton misionin Apollo 17 të gjysëm shekulli më parë, që dërgoi njeriun e fundit në Hënë.

Agjencia Amerikane Hapësinore është zotuar ta përsërisë këtë sukses duke përdorur teknologji të epokës modern. Rikthimin në Hënë, NASA e shesh si një mënyrë për t’u përgatitur për dërgimin e njerëzve të parë në planetin Mars, rreth viti 2030 ose edhe më herët.