Koronavirusi ka rinisur “të vrapojë”. Në realitet, “vrapimi” i tij nuk është ndalur asnjëherë që nga fillimi i vitit. Por javët e fundit situata në Evropë, është përkeqësuar sërish. Këtë e tregojnë shifrat e larta të rasteve të reja ditët e fundit.
Bashkë me to janë shtuar shtrimet në spital, në repartet e kujdesit intensiv dhe vdekjet nga koronavirusi i ri. “Ne jemi dëshmitarë të një rritje të madhe dhe vërtet alarmante të rasteve dhe vdekjeve”- tha për BBC Margaret Herris, zëdhënëse e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Në Evropë, numri i viktimave pësoi një rritje me 40 për qind vetëm javën e fundit. Duke analizuar të dhënat javore, deri në mesin e muajit gusht, numri i viktimave ka mbetur i qëndrueshëm në të gjithë botën, duke filluar nga 37 deri në 41 mijë të vdekur në javë.
Më pas, numri i viktimave të koronavirusit në Evropë filloi të rritet gradualisht. Nga rreth 2600 viktima në javë në17-24 gusht, në mbi 11.700 viktima në javë në datat 19-26 tetor. Shifër e lartë, por ende larg mbi 28 mijë vdekje në javë në muajin prill.
Situata është e ndryshme nga vendi në vend. Një rritje e madhe e viktimave është vërejtur gjatë 7 ditëve të fundit në Itali, Francë, Belgjikë, Holandë, Republikën Çeke, Hungari, Slloveni, Kroaci. Por nëse numri i viktimave është i destinuar të rritet të paktën në ditët në vijim, duke marrë parasysh shtrimet në spitale, si ka ndryshuar vdekshmëria nga Covid-19 përgjatë muajve?
Ekspertët përdorin parametrin Case Fatility rate (CFR). Ai llogaritet si raporti midis vdekjeve nga Covid, dhe numrit të rasteve zyrtare të diagnostikuara me Covid-19. Rezultati është një numër që duhet marrë me shumë rezerva, kryesisht për shkak se numri i rasteve zyrtare është shumë më i ulët se i rasteve në total, që nuk arrihen të gjurmohen.
Aktualisht nëItali, vend që ka thuajse 600 mijë raste zyrtare dhe 38 mijë viktima, vdekshmëria nga Covid-19 është rreth 6.4 për qind (me vlera shumë të ndryshueshme sipas grupmoshës). Në nivelin evropian, kjo normë është rreth 2.9 për qind, ndërsa në nivel botëror rreth 2.7 për qind për momentin, sipas të dhënave të përpunuara nga projekti “OurWorldindata” i Universitetit të Oksfordit.
Faktorët që mund të ndikojnë tek CFR-ja, varen nga aspekte të ndryshme, para së gjithash nga numri i rasteve të diagnostikuara dhe vdekjeve të konfirmuara, të cilat nga ana tjetër ndikohen nga një mori faktorësh, siç përmblidhen gjithashtu nga ekspertët e Oksfordit: tendenca e epidemisë në nivelin lokal, masat e kontrollit, por dhe tiparet e popullatës, reagimi i sistemeve shëndetësore, efektiviteti i terapive.
Duke marrë parasysh këtë, dhe faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në CFR, vdekshmëria e përgjithshme e koronavirusit duket se po zvogëlohet muajt e fundit. Epidemiologu i Universitetit të Stenfordit Xhon Joanidhis po kryen një seri hulumtimesh mbi këtë çështje.
Sipas tij nivelet i infektimeve janë më të ulta se në pranverë, dhe se CFR ndryshon shumë nga vendi në vend, dhe maksimumi është 1.63 për qind. / Wired – Bota.al