Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka thënë se ka qenë i mirinformuar për datën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe se e ka pritur me padurimin më të madh.
Ai tha se ka pasë komunikim intensiv me presidentin Fatmir Sejdiu dhe njëlloj edhe me kryeministrin e atëhershëm Hashim Thaçin.
“Kosova ka ecur në mënyrë të admirueshme në disa drejtime dhe ajo ka një shtet funksional, pavarësisht nga të gjithë kritikat. Por shembulli që dha në këto zgjedhje dhe në shumë zgjedhje të kaluara është dëshmi e një demokracie funksionale. Kjo është një arritje e madhe në një hap të shkurtë kohor”.
Berisha në Klan Kosova tha se Kosova ishte në rrezik nga Beogradi dhe Tirana zyrtare duke fajësuar kryeministrin aktual, Edi Ramën.
“Këto vjetët e fundit Kosova është përballë me qëndrime armiqësore të kombinuara, të Beogradit dhe Tiranës zyrtare. Këtë nuk e bëj për politikë, por e them me bindje absolute. Ju nuk kishit dëgjuar para viti 2013 ndarje apo ndryshim kufijsh. Kjo tezë doli në të zezën e Kosovës, pas vitit 2013 dhe doli pas kthimit të Edi Ramës në pushtet. Kosova u vu mes dy zjarreve. Zjarrit të Beogradit për serbomadhinë dhe të Tiranës zyrtare që ishte në favor të Beogradit. Kjo është historia”.
Berisha foli edhe për idenë e bashkimit mes Kosovës dhe Shqipërisë duke thënë se kjo ide duhet të frymëzojë secilin shqiptar.
“Ideali i bashkimit kombëtar është ideali më sublim dhe më fisnik që duhet të udhëheqë çdo shqiptar. Por duhet të jemi realistë. Pavarësia e Kosovës ishte një proces që u zhvillua në atë drejtim, pra të pavarësisë dhe jo të bashkimit kombëtar. Jam rritur dhe edukuar me idenë e bashkimit kombëtar dhe fillimisht në ato fjalimet e mia të para s’kam pasë mëdyshje në këtë qëndrim, por duhet të them atë që është. Gradualisht arrita të kuptoj se ndarja 45 vjeçare mes Kosovës dhe Shqipërisë në Prishtinë kishte krijuar një elitë të re që mendonte për pavarësinë e Kosovës. Në këtë kontekst nuk më mbeti gjë tjetër që si president i Shqipërisë që ta mbështesja atë me gjithë forcën time”.
Berisha tha se pavarësia e Kosovës është një përgjigje ndaj padrejtësive të mëdha historike që iu bënë shqiptarëve qysh në Traktatin e Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit.
“Pavarësia e Kosovës na ktheu dinjitetin si shqiptarë”.
Ish-kryeministri shqiptar komentoi edhe rezultatin zgjedhor të 14 shkurtit duke e quajtur plebishitare fitoren e Vetëvendosjes.
“Kur flet sovrani ka vetëm një qëndrim – përshëndetje të tij. Qytetarët e Kosovës në këto zgjedhje i dhanë Kosovës atë që i ka munguar në një farë mënyrë. I dhanë një qeveri të fortë. Kosova ka nevojë për një qeveri të fortë dhe jo një të tillë që kapet për shkaqe të ndryshme, pengohet, ngadalësohet, rrëzohet. Nga ana tjetër, sovrani i ka dhënë Kosovës një opozitë më të fuqishme: partitë që kanë ndërtuar Kosovën deri më sot”.