Kina ka dalë kundër Grupit të 7 vendeve më të industrializuara të botës, liderët e të cilëve përmbyllën të dielën samitin treditor në Britani të fokusuar te kriza epidemike, klima, ekonomia dhe problemet e barazisë.
Në deklaratën finale, kryeministri britanik Boris Xhonson, presidenti amerikan, Xho Bajden, dhe homologët nga Gjermania, Franca, Italia, Japonia dhe Kanadaja u ofruan më shumë mbështetje vendeve të goditura nga kriza klimatike. Tjetër vendim me rëndësi është heqja dorë nga përdorimi i qymyrit si burim energjie. Për vendet në zhvillim u propozuan, ndërkaq, edhe fonde për projekte infrastrukturore të cilat konkurrojnë planin kinez të “Rrugës së Re të Mëndafshit”, dhe që sulmojnë drejtpërdrejt interesat e Pekinit. “Kanë ikur ditët kur vendimet globale diktoheshin nga një grup i vogël vendesh. Ne gjithmonë besojmë se shtetet, të vogla a të mëdha, të forta a të dobëta, të varfra a të pasura, janë të barabarta, dhe çështjet botërore duhen zgjidhur në konsultim me të gjitha vendet,” reagoi ambasada kineze në Londër. Sipas burimeve të pranishme në takimin e G7, Italia, Gjermania dhe Bashkimi Evropian duket se hezitojnë të marrin një qëndrim sa më të ashpër ndaj Kinës, dhe duan të përqendrohen më tepër në “natyrën bashkëpunuese të marrëdhënies”. SHBA, Britania, Kanada dhe Franca, nga ana tjetër , duan të jenë më “të orientuar drejt veprimit” në shkallë të ndryshme. Japonia duket të jetë më e pavendosura në grup.