Bota
Samiti i Brukselit, Zëri i Amerikës: NATO dhe BE zotohen për ruajtjen e qëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor
Ministrat e Jashtëm të NATO-s, po diskutojnë tensionet në Ballkanin Perëndimor, mes thirrjeve për shtimin e pranisë ushtarake të aleancës për shkak të shqetësimeve se situata e pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë mund të rrisë paqëndrueshmërinë në rajon.
Një përleshje e armatosur ndërmjet policisë së Kosovës dhe një grupi serbësh të armatosur në muajin shtator në veri, nxiti shqetësimin e vendeve perëndimore se Rusia mund të përpiqet të nxisë konflikt në Ballkan për të shmangur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ritheksoi në prag të fillimit të takimit të ministrave të Jashtëm se aleanca do të shqyrtojë shtimin e pranisë afatgjatë në rajon.
“Të jeni të sigurt se NATO do të bëjë gjithçka të nevojshme për të mbështetur dhe siguruar qëndrueshmërinë në rajon, sepse kjo është e rëndësishme jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për të gjithë Evropën dhe NATO-n”, tha sekretari Stoltenberg, i cili bashkë me sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken vunë theksin te qëndrueshmëria në Ballkan.
Para udhëtimit të sekretarit Blinken për në Bruksel, Ndihmës sekretari amerikan për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, paralajmëroi Kosovën dhe Serbinë se “shkaktimi i trazirave në veri të Kosovës nënkupton përballje me NATO-n”.
Pak pas sulmit te grupit te armatosur, Shtëpia e Bardhë kërkoi nga Serbia tërheqjen e menjëhershme te forcave serbe nga kufiri me Kosovën pasi kishin vërejtur një prani te shtuar përgjatë kufirit, që përfshinte artileri dhe njësi ushtarake te mekanizuara.
Kosova kërkon që Serbia të tërheqë trupat nga kufiri i saj, Beogradi mohon të ketë grumbullim të tyre
Beogradi reagoi duke ulur praninë e forcave ushtarake nga kufiri, ndërkohë që NATO-ja përforcoi me 1,000 trupa shtese forcën e saj paqeruajtëse ne Kosove, përforcimi me i madh i KFOR-it qe pas shpalljes se pavarësisë.
Situata në Ballkanin Perëndimor ishte pjesë e diskutimeve të shefit të politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell me ministrat e NATO-s. Zoti Borrell tha se qëndrueshmëria, përparimi dhe harmonizimi i politikës së Jashtme të vendeve të rajonit me BE-në është me rëndësi thelbësore.
“Më lejoni të theksoj rëndësinë e bashkëpunimit mes BE-së dhe NATO-s në veri të Kosovës. Misioni ynë i EULEX-it është i pozicionuar dhe ka një bashkëpunim të fuqishëm me KFOR-in dhe po përballen me kohë të vështira. Ne do të vazhdojmë të sigurojmë qëndrueshmëri dhe të ofrojmë siguri në këtë pjesë të Kosovës dhe në kufirin me Serbinë”, tha zoti Borrell në një konferencë për shtypin para takimit.
Misioni amerikan në NATO shkroi ndërkaq në rrjetin X të njohur deri vonë si Tëitter se aleanca “po ndërmerr hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat e nevojshme për të përmbushur mandatin e tij të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara në mënyrë të paanshme. Këshilli i Sigurimit i OKB-së u dha një mandat Forcave të NATO-s në Kosovë në vitin 1999 për një mision paqeruajtës të paanshëm. KFOR-i vazhdon të mbështesë zhvillimin e një Kosove gjithëpërfshirëse, demokratike dhe shumetnike”.
Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Bearbock, tha se në Ballkanin Perëndimor “paqja shpesh varet në fije të perit”, ndërsa paralajmëroi se Gjermania do të dërgojë vitin e ardhshëm 150 trupa shtesë, që do të shërbejnë në kuadër të KFOR-it në Kosovë.
“U bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të rrisin vullnetin për marrëveshje për të hapur rrugën e tyre evropiane”, theksoi ndërkaq shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.
Diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje për të përshpejtuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke i kërkuar Prishtinës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ndërsa Beogradit njohjen de fakto të Kosovës.
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill tha të martën se “themelimi i Asociacionit është i një rëndësie vendimtare për palën serbe… Në të njëjtën kohë, mendoj se edhe Kosovës i duhen disa gjëra – të cilat në radhë të parë pasqyrohen në nevojën që të njihet ndërkombëtarisht dhe përpjekjet e saj për normalizimin e situatës në kufirin me Serbinë”.
Duke nënvizuar se kjo nuk është një punë e lehtë, ambasadori Hill tha gjatë punimeve të Forumit Ekonomik të Beogradit se “duhet ta bëjmë të qartë për të dyja palët se çdo mënyrë tjetër që çështja të zgjidhet me armë ose ndonjë rrugë tjetër të dhunshme është tërësisht e papranueshme dhe të dyja palët duhet të jen të përqendruara në bisedimet e Brukselit”.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës që u shpall në vitin 2008 dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së Kremlinit ndaj pretendimeve serbe për Kosovën.
Të dyja vendet duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, i cili ndërmjetëson bisedimet mes tyre dhe i cili ka paralajmëruar se mungesa e përparimit në procesin e normalizimit të marrëdhënieve, rrezikon rrugën e tyre drejt anëtarësimit./ VOA
Bota
Grabitje spektakolare në Gjermani, hajdutët vjedhin 30 milionë euro nga një bankë
Një grabitje e përmasave të mëdha ka tronditur Gjermaninë perëndimore, ku hajdutë të paidentifikuar kanë vjedhur rreth 30 milionë euro nga një degë e bankës Sparkasse në qytetin Gelsenkirchen.
Sipas policisë, autorët përdorën një shpues industrial për të hapur kasafortën nëntokësore, duke e realizuar operacionin në mënyrë tepër profesionale, të krahasueshme me skenarët e filmave të Hollivudit.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur gjatë ditëve të qeta të Krishtlindjeve. Hetimet paraprake tregojnë se grabitësit hynë dhe u larguan nga godina përmes një garazhi parkimi ngjitur me bankën. Ata thyen mbi 3000 kasaforta personale që përmbanin para, ar dhe bizhuteri. Grabitja u kuptua vetëm në orët e para të së hënës, kur u aktivizua një alarm zjarri.
Dëshmitarë okularë kanë raportuar se panë disa persona që transportonin çanta të mëdha gjatë natës, ndërsa kamerat e sigurisë kanë regjistruar një automjet luksoz, Audi RS6 të zi, duke u larguar nga garazhi. Deri tani nuk ka arrestime.
Banka Sparkasse ka njoftuar se 95% e kasafortave janë hapur me forcë dhe ka kërkuar nga klientët të kontaktojnë një linjë të posaçme. Çdo kasafortë është e siguruar deri në vlerën 10300 euro.
Bota
George dhe Amal Clooney marrin shtetësinë franceze së bashku me fëmijët e tyre
Aktori i njohur amerikan George Clooney, bashkëshortja e tij Amal Clooney, avokate e të drejtave të njeriut, si dhe binjakët e tyre Ella dhe Alexander, janë pajisur zyrtarisht me shtetësinë franceze. Vendimi është bërë publik në Journal Officiel, organi zyrtar ku publikohen dekretet e qeverisë franceze.
Familja Clooney jeton kryesisht në një fermë në Brignoles, në jug të Francës, blerë në vitin 2021. Kryebashkiaku i qytetit, Didier Brémond, u shpreh për mediat lokale se zgjedhja e çiftit për t’u bërë shtetas francezë tregon “dashurinë e tyre për Francën”, duke i përshkruar si një familje të thjeshtë dhe të aksesueshme.
Në një intervistë për revistën Esquire, Clooney tregoi se vendimi për t’u zhvendosur në Francë lidhej me shqetësimin për rritjen e fëmijëve në Los Anxhelos dhe ndikimin e kulturës së Hollivudit. Ai theksoi se dëshironte një jetë më normale për ta, larg paparacëve dhe krahasimeve me fëmijë të tjerë të famshëm.
Binjakët e çiftit kanë lindur në Londër në vitin 2017. Amal Clooney, e lindur në Liban dhe e rritur në Britani, është natyralizuar me mbiemrin e saj të vajzërisë, Amal Alamuddin. Ndërsa fëmijët dhe Amal flasin rrjedhshëm frëngjisht, George Clooney pranon me humor se gjuha franceze mbetet ende një sfidë për të.
Bota
Raporti amerikan zbulon se sa armë bërthamore zotëron Kina dhe a mund të sulmojë SHBA-të!
Një raport i ri i Pentagonit detajon aftësitë raketore bërthamore të Kinës dhe aftësinë e saj për të goditur Shtetet e Bashkuara në rast të një lufte botërore.
Raporti, i cili iu dorëzua Kongresit më 23 dhjetor, thotë se Kina është e aftë të godasë pjesën më të madhe të SHBA-së me raketat DF-31.
Raporti nënvizon:
“Përforcimi historik ushtarak i Kinës e ka bërë kontinentin e SHBA-së gjithnjë e më të prekshëm. Kina mban një arsenal të madh dhe në rritje të armëve bërthamore, detare dhe konvencionale me rreze të gjatë veprimi, si dhe aftësi kibernetike dhe hapësinore, të afta të kërcënojnë drejtpërdrejt sigurinë e amerikanëve”.
Qëllimi përfundimtar i Kinës
Departamenti Amerikan i Luftës pretendon se qëllimi përfundimtar i Kinës është të bëhet një superfuqi globale deri në vitin 2049, e aftë të mbrojë të gjitha interesat e vendit.
Me një ushtri të klasit botëror, Departamenti Amerikan beson se Kina do të kërkojë të pushtojë Tajvanin dhe ta përfshijë atë në Kinë, pasi ajo tashmë e pretendon ishullin si pjesë të shtetit kinez.
Raporti tha gjithashtu se Kina ka të paktën 100 raketa balistike ndërkontinentale (ICBM) DF-31, të cilat janë zhvendosur në vende nëntokësore lëshimi, të njohura si silos. Këto raketa kanë një rreze veprimi prej 11,000 kilometrash, duke mbuluar pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara.
Këto silura janë vendosur në zona të largëta në Kinën veriore dhe perëndimore: në Hami, Xinjiang, Yumen, Gansu dhe Yulin, Mongolia e Brendshme, pranë kufirit me Mongolinë. Edhe pse Kina vlerësohet të ketë gjithsej 320 silo në këto tre zona, SHBA-të besojnë se vetëm 100 prej tyre janë të pajisura me raketa.
“Trump kërkon paqe”
Duke folur për Daily Mail, një zyrtar i lartë i Departamentit të Luftës tha se Donald Trump dhe administrata e tij po kërkojnë të ulin tensionet dhe në fund të fundit të shmangin çdo konflikt global, siç është një Luftë e Tretë Botërore.
“Presidenti Trump kërkon një paqe të qëndrueshme, tregti të drejtë dhe marrëdhënie të respektueshme reciprokisht me Kinën. Departamenti i Luftës do të mbështesë qëllimin e Presidentit duke hapur një gamë më të gjerë komunikimesh ushtarake me Ushtrinë Çlirimtare Popullore dhe duke kërkuar mënyra të tjera për t’i bërë të qarta qëllimet tona paqësore”, tha ai.
Frika e republikanëve
Megjithatë, disa republikanë kanë paralajmëruar për “kërcënimin” që Kina përbën për SHBA-të në të ardhmen.
Sipas një raporti nga ‘Politico’, përfaqësuesi Nathaniel Moran paralajmëroi se Kina mund të kthehet kundër SHBA-së në sektorin farmaceutik, pasi furnizon rreth 80% të përbërësve aktivë farmaceutikë të përdorur në Shtetet e Bashkuara.
“Brenda natës, Kina mund të mbyllë rubinetin dhe shumë produkte thelbësore farmaceutike, madje edhe gjëra si aspirina, mund të zhduken nga zinxhiri i furnizimit në Shtetet e Bashkuara”, paralajmëroi ai.
Ai iu referua gjithashtu fuqisë ushtarake në rritje të vendit dhe shtoi:
“Ne e dimë se qëllimi afatgjatë i Kinës është në thelb dominimi ekonomik, diplomatik dhe ushtarak në të gjithë botën, dhe ata i shohin Shtetet e Bashkuara si një kundërshtar”.
-
UK2 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania4 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK4 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports2 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
Albania2 days agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania14 hours agoIronia e një dosje sekrete në Harvard: Amerikanë mbroni Trashëgiminë Ilire, Shqiptarët pas ’90-s e shkatërruan …
-
UK14 hours agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
