Serbia nis “luftën e letrave”, Asambleja Parlamentare e KiE zbulon datat e rëndësishme për Kosovën

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Këshilli i Evropës ka publikuar agjendën me datat e rëndësishme për sesionin pranveror. Debati në Asamblenë Parlamentare në Strasburg për aplikimin e Kosovës do të zhvillohet më 16 prill. Aty do të kërkohet një opinion nga përfaqësues të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës lidhur me opinionin e paraqitur nga relatorja Dora Bakojanis.

Dokumenti në fjalë u miratua me sukses të mërkurën e kaluar në Komitetin për Politikë të Jashtme dhe Demokraci me 31 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim.

Fitore të mëdha të Kosovës konsiderohen mungesa e kushteve shtesë para anëtarësimit dhe njohja si shtet me të drejta të plota. Në opinionin e miratuar të Bakojanis theksohet se vendet anëtare duhet të lënë anash qëndrimet individuale për shtetësinë e Kosovës dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës përfundon me votimin në Komitetin e Ministrave të organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, në një seancë që pritet të mbahet në maj. Por nga ana tjetër, Serbia ka nisur luftën e letrave “non paper” për ta penguar pranimin e Kosovës dhe ndryshuar qëndrimet e disa vendeve anëtare.

Qeveria në Beograd ka krijuar “grupin e luftës” me urdhër të presidentit Aleksandër Vuçiç dhe në media raportohet se është përpiluar letra e parë që do tu dërgohet vendeve anëtare të Këshillit të Evropës.

Novosti shkruan se Serbia në “non paper-in” e saj do të listojë të gjitha pretendimet për sulme ndaj serbëve, sekuestrimin e pronave, përdhosjen e vendeve të shenjta, gjyqet e inskenuara, por edhe rrezikun e krijimit të një precedenti nëse Kosova, e cila nuk ka ulëse në Kombet e Bashkuara, të pranohet në organizatë.

Ivica Daçiç, që drejton kryeministrinë pas largimit të Ana Brnabiç, pretendoi se pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës po bëhet me dhunë.

Share This Article