Xherdan Shaqiri është i vendosur për ta kthyer Lyonin në ekipin që ishte para një dekade kur fitonte trofe në futbollin francez.
Lyoni trofeun e fundit në Francë, e ka fituar në vitin 2012, kurse nuk është kampion në Ligue 1 që nga sezoni 2007/08.
Shaqiri iu bashkua Lyonit gjatë afatit kalimtar të verës dhe insiston se më përvojën e tij, mund ta kthejë ekipin në krye të futbollit të Francës.
Shaqiri, i cili iu bashkua Lyonit nga Liverpooli, deri më tani ka tri paraqitje dhe një asistim për ekipin francez në të gjitha garat.
“Unë dua të kem suksese me Lyonin dhe ta ngriti në një nivel të ri. Me përvojën time dhe nivelin tim të lojës, unë dua ta ndihmoj këtë klub ta rikthejë lavdinë e mëparshme. Objektivi është të fitojmë trofe të rinj dhe ta kthejmë Lyonin aty ku ishte para më shumë se dhjetë vjetësh”, ka thënë Shaqiri 29-vjeçar që ka zbuluar edhe arsyen se pse iu bashkua Lyonit.
“Trajnerit Peter Bosz i pëlqen futbolli sulmues dhe posedimi i topit. Kështu që, ai ishte arsyeja kryesore që iu bashkova Lyonit”, tha Shaqiri.


