Tre persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur pas një sulmi me armë zjarri në një festival ushqimi në afërsi të monumentit të famshëm Space Needle në Seattle.
Ngjarja ndodhi të dielën rreth orës 18:00 me kohën lokale, në ambientet e Seattle Center, ku po zhvillohej festivali vjetor “Bite of Seattle”.
Sipas autoriteteve, një i dyshuar është arrestuar, ndërsa një person i dytë i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ende nuk është kapur. Policia tha se dyshohet se të dyshuarit kanë qëlluar ndaj njëri-tjetrit.
Dy viktima u shpallën të vdekura në vendngjarje, ndërsa një person tjetër ndërroi jetë më vonë në spital. Mes të plagosurve është edhe një fëmijë dy vjeç.
Gjatë të shtënave, shumë persona kërkuan strehim brenda Space Needle. Pamjet e publikuara në internet treguan njerëz të ulur në tokë dhe të fshehur pas shtyllave dhe rafteve në hollin e ndërtesës.
Policia e Seattle ka nisur hetimet dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonën derisa të përfundojë puna e autoriteteve.
Kryetarja e Bashkisë së Seattle, Katie Wilson, falënderoi forcat e rendit për reagimin e shpejtë dhe arrestimin e njërit prej të dyshuarve.
Departamenti i Zjarrfikësve njoftoi se katër nga të plagosurit u dërguan në spital në gjendje të qëndrueshme, ndërsa një person tjetër nuk pranoi trajtim mjekësor.


