Shpërthimi shkatërrues në Bejrut është një kujtesë e rëndë e një fakti thellësisht shqetësues: mijëra tonë nitrat amoniumi të ruajtur në mënyrë jo të duhur në portin e këtij qyteti nuk është vendi i vetëm në rrezik të shpërthimit spontan.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, në Filipine, Ukrainë, Gjeorgji, Libi dhe Guinea-Bissau ka mbeturina të rrezikshme municionesh të mbetura nga konfliktet e kaluara dhe ato të tanishme, disa prej tyre në mënyrë të rrezikshme afër zonave të banuara.
Sipas agjencisë zvicerane të monitorimit “Small Arms Survey”, midis vitit 1979 dhe gushtit të vitit të kaluar, gati 30,000 njerëz në 101 vende u vranë ose u plagosën nga shpërthime të paplanifikuara në vendet e municioneve (UEMS).
Nga 606 incidente të regjistruara, gati tre të katërtat përfshinin stoqet e pronave shtetërore.
Një nga shpërthimet më të këqija ndodhi në Brazzaville në Republikën e Kongos në vitin 2012, duke vrarë më shumë se 500 njerëz.
Simon Conway, një drejtor senior britanik për organizatën e pastrimit të minave “Halo Trust”, thotë se hapi i parë i nevojshëm është që qeveritë të pranojnë se këto depo armësh janë të pasigurta.
Sipas tij, hapi tjetër është të sjellësh njerëz me ekspertizën e duhur për të zhvendosur ato larg zonave të banuara dhe më pas shkatërrimin e tyre.
“Ato nuk konsiderohen se janë problem derisa të shpërthejnë”, thotë ai.
“Shpesh këto vende kanë siguri të dobët dhe do të ishte shumë e lehtë që ato të humbnin që më vonë të ktheheshin në pajisje të eksplozivit të improvizuar”, thotë zoti Conway.
Pra, pas Bejrutit, sipas BBC, përcjell Telegrafi, ku janë vendet për të cilat duhet të shqetësohemi? Cilat hapësira të tjera janë ato që ekspertët e municioneve konsiderojnë se janë “bomba të kurdisura”, që mund të shpërthejnë në çdo kohë?