Ridvan Ahmet ka lindur në Australi, por gjuhën shqipe e flet mjaft mirë. Sot 77 vjeç, Ridvani tregon se babai i tij ishte ndër të parët shqiptar që emigroi në Australi në vitet ’20 nga Bulgareci i Korçës.
“Babai erdhi sefte këtu në Australi. Erdhi kurbet nga Shqipëria. Erdhi me vëllain dhe një kushëri. Pas disa kohësh nisnin të vinin shqiptarët këtu. U mblodhën goxha shqiptarë. U rritëm në një familje me 8 fëmijë. Unë jam I gjashti. Babai është nga Bulgareci. Të shumtët që erdhën këtu janë nga ana e Korçës”, ka thënë ai.
Gjuha dhe feja islame janë ruajtur me fanatizëm për dekada me radhë në familjen Ahmeti.
“Babai kishte merak mos e humbasim gjuhën. Babai na thoshte kur hyni në pragun e derës vetëm shqip flisni. Ne e mësuam se flisnin vetëm shqip ata. Fëmijët e mi nuk dinë mirë shqip, por na marrin vesh. Babai ishte goxha fetar. Ma mësoi vetë fenë. Na mësuan se jemi myslimanë. Nuk kishim xhami. Festonim bajramin. Vizitonim çdo shtëpi shqiptare që kishim këtu”, ka thënë ndër të tjera ai.
Bajrami është një festë që ju sjell gëzim në familje. Ridvani tregon se ende ruajnë traditën me vizita tek shqiptarët e tjerë.
“Mblidhemi ditën e bajramit në xhami, e falim. Pastaj hamë drekën, pastaj dalim për vizita. Sot do të presim miq dhe do dalim për vizita”.
Xhamia që u ndërtua nga komuniteti shqiptar në vitin 1960 në Australi është ende edhe sot dhe mbledh shumë besimtarë.
Dhjetëra shqiptarë të lindur në Australi falën namazin e Bajramit në xhaminë e ndërtuar nga të parët e tyre në Sheperton.
Namazi u drejtua nga imami Hysni Merja, i cili prej një viti ka lënë Shqipërinë dhe jeton në Australi. /abc