Politikanë dhe grupe mediale në mbarë botën kanë reaguar ashpër, pasi një raport i ri pretendoi se disa qeveri, përfshirë atë të Hungarisë, kanë përdorur një program izraelit për t’i hakuar telefonat e gazetarëve, zyrtarëve dhe aktivistëve për të drejtat e njeriut në pjesë të ndryshme të botës.
Një hulumtim i 17 organizatave mediale dhe Projektit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka gjetur lidhje mes kompanisë izraelite, NSO Group, e akuzuar për furnizim të qeverive me pajisje për përgjim, dhe një bazë të rrjedhur të të dhënave të deri 50.000 numrave të telefonit, që besohet se janë identifikuar si persona me interes nga klientët e kësaj kompania që nga viti 2016.
Sipas raportit, në mesin e klientëve të kompanisë NSO Group janë qeveritë e Azerbajxhanit, Hungarisë, Bahrejnit, Indisë, Indonezisë, Kazakistanit, Meksikës, Marokut, Ruandës, Arabisë Saudite, Togos dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, shkruan Free Europe.
“Zbulimet në lidhje me përdorimin e gjerë të softuerit Pegasus për t’i spiunuar gazetarët, mbrojtësit e të drejtave të njeriut, politikanët dhe të tjerët në një varg shtetesh janë ekstremisht alarmuese dhe duket se i vërtetojnë disa nga frikat më të këqija rreth keqpërdorimit të mundshëm të teknologjisë së vëzhgimit për t’i minuar ilegalisht të drejtat e njeriut”, tha komisionerja e lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet.
Sidoqoftë, vetë kompania NSO Group mohoi se ka bërë ndonjë gjë të keqe, duke thënë përmes një deklarate se softueri Pegasus ka për qëllim që të përdoret kundër kriminelëve dhe terroristëve dhe se është i qasshëm vetëm për agjencitë e ushtrisë, inteligjencës dhe për organet e sundimit të ligjit nga shtetet me gjendje të mirë të të drejtave të njeriut.
Edhe Ministria e Mbrojtjes e Izraelit tha se eksportimi i produkteve kibernetike, si pajisja për spiunim e shitur nga kompania NSo Group, bëhet për përdorim të ligjshëm dhe me qëllimin e vetëm luftimin e krimit dhe terrorizmit.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se ndonëse infromatat duhet të vërtetohen, “nëse është kështu, është tërësisht e papranueshme dhe kundër secilës rregull që kemi në Bashkimin Evropian”, tha ajo pas një vizite në Pragë.