Kalifornia ka tejkaluar Japoninë për t’u bërë ekonomia e katërt më e madhe në botë, sipas guvernatorit Gavin Newsom.
Sipas të dhënave paraprake të Byrosë Amerikane të Analizës Ekonomike, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) nominal i Kalifornisë arriti në 4,1 trilionë dollarë në vitin 2024, duke lënë pas Japoninë, e cila sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar ka një PBB 4,02 trilionë dollarë.
Kjo e vendos Kaliforninë pas vetëm tre ekonomive më të mëdha globale: SHBA-së, Kinës dhe Gjermanisë. Kalifornia kishte një rritje ekonomike prej 6% vitin e kaluar, më e larta në krahasim me këto shtete.
“Kalifornia nuk po ndjek ritmin e botës – po e vendos atë”, deklaroi Newsom. Ai theksoi se investimet në njerëz, qëndrueshmëria dhe inovacioni janë çelësat e suksesit ekonomik të shtetit.
Megjithatë, ai paralajmëroi se tarifat e vendosura nga Trump po dëmtojnë rëndë ekonominë e Kalifornisë. Guvernatori ka paditur administratën e Trump-it në gjykatën federale, duke argumentuar se përdorimi i pushteteve emergjente për vendosjen e tarifave është i paligjshëm dhe i paprecedent.
Tarifat kundër Meksikës, Kinës dhe Kanadasë, si dhe tarifa 10% për importet globale, kanë prekur rëndë ekonominë më të madhe shtetërore të Amerikës, sidomos sektorët e teknologjisë, bujqësisë dhe prodhimit.
Kalifornia, me 40 milionë banorë, përfaqësoi 14% të PBB-së së SHBA-së në vitin 2024 dhe zhvilloi tregti dypalëshe me vlerë afro 675 miliardë dollarë, ku Meksika, Kanadaja dhe Kina janë partnerët kryesorë tregtarë.
Ndërkohë, edhe dymbëdhjetë shtete të tjera kanë paditur administratën Trump, duke e akuzuar për rritje të paligjshme të taksave përmes tarifave.