Që nga fillimi i koronavisuit në Kosovë shumë pacientë janë shtrirë e pastaj trajtuar në Klinikën Infektive të QKUK-së. Ky vend ka qenë adresa kryesore për shumë qytetarë të Kosovës.
Me mijëra persona janë trajtuar aty, përgjatë këtyre dy viteve ballafaqim me pandeminë Covid-19. Por jo të gjthë ata që u trajtuan në Infektivë arritën që t’ia dilnin mbanë me sëmundjen. Shumë kosovarë për fat të keq u mposhtën duke ndërruar jetë nga virusi me shtrirje tashmë globale.
Por shumica nga këta persona që kanë vdekur nga koronavisusi kanë pasur edhe sëmundje të tjera të rënda shoqëruese.
Gazeta Nacionale ka marrë mendimet e udhëheqësve të Klinikës Infektive të cilët kanë deklaruar se javëve të fundit në Kosovë, ata që kanë humbur jetën nga Covid-19 kanë qenë të vaksinuar, por kanë vuajtur nga sëmundje të tjera të rënda.
Kështu i tha gazetës Arben Vishaj, drejtor në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Në kohën e fundit kemi pasur pacientët që kanë qenë me sëmundje shumë të rënda me raste kardiake, operacione, me sëmundje të rënda të veshkave të cilët edhe përkundër që janë vaksinu, organizmi i tyre nuk ka krijuar imunitet të duhur, dhe për këtë arsye edhe kanë përfundua. Shumica që kanë ardh këtu në Klinikë me u trajtu, shumica kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese. Pa ndonjë sëmundje, pak pacientë kemi pasur”, thotë Vijash për Nacionale.
Ai ka sqaruar se ngë Klinikën Infektive tashmë aranzhuar grupi punues i cili do të merret me hartimin e raportit të detajuar për të gjithë kosovarët që kanë ndërruar jetë në Klinikën Infektive si pasojë e koronavirusit që nga rasti i parë i vdekjes e deri më sot..
“E kemi një grup prej pesë personave që janë duke punu në raportin e detajuar për këtë çështje, pra për pacientët që janë e që kanë qenë të shtrirë në Klinikën Infektive. Nga fundi i vitit po besoj qe do te dalim me raport”, thotë Dreshaj.
E Hamdi Ramadani, i cili ka drejtuar Klinikën Infektive të QKUK-së e që tash ushtron pozitën e kryetarit të Shoqatës së Infektologëve të Kosovës, deklaron se pavarësisht faktit se Omicroni paraqitet me “simptoma më të buta”, pacientët që kanë sëmundje kronike ose janë të pa vaksinuar, mund të përfundojnë me fatalitet.
“Unë mund të them se në bazë të hulumtimeve, pacientët më të rrezikuar janë ata që vuajnë nga sëmundje kardiovaskulare, duke filluar nga tensioni i lartë i gjakut, aritmia, sëmundjet kronike dhe malinje, qytetarët që kanë imunitet të dobësuar”, thotë Ramadani, i cili bën po ashtu thirrje për vaksinim.
“ Personat, sidomos të moshuarit, duhet të vrapojnë për t’u vaksinuar edhe me dozën përforcuese”
Ai sqaron se shumica e viktimave nga Covid-19 në Kosovë kanë qenë të moshës mbi 60-vjecar.
E Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës vazhdimisht bën thirrje për vaksinim por edhe për kujdes ndaj varianteve të reja të koronavirusit.
Në ueb-faqen e tij thuhet se Omicron vazhdon të përhapet me shtim të rasteve fatale dhe është varianti dominues në qarkullim.
“Dy variantet e Omicron (BA.1 dhe BA.2) po vazhdojnë të përhapen me pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve dhe me raste fatale. Virusi është kudo andaj mos neglizhoni rekomandimet themelore: maska, distanca, higjiena. Shmangni udhëtimet e panevojshme, qëndroni në shtëpi dhe ajrosni ambientet e mbyllura”, thuhet në thirrjen e IKSHPK-së.
E vaksinat mund të merren çdo ditë në të gjitha institucionet e kujdesit parësor në komunat e Kosovës.
Deri më tani, rreth 819 mijë qytetarë, apo 45 për qind e popullsisë që mund të vaksinohet, janë vaksinuar me dy doza të vaksinës. Mbi 99 mijë qytetarë, ndërkaq, janë vaksinuar me dozën e tretë ose përforcuese.
Vaksinimi në Kosovë ka nisur në mars të vitit 2021, ndërsa dhënia e dozës së tretë ose përforcuese ka nisur në dhjetor.
Fillimisht kanë mundur të vaksinohen vetëm personat mbi 18 vjeç, pastaj edhe mbi 16-vjeçarët dhe tani edhe mbi 12-vjeçarët.