Londra ka qenë gjithmonë një vend tërheqës për miqtë e presidentit rus Vladimir Putin që duan të blejnë prona në Britaninë e Madhe. Për shumë vjet, nëse jo dekada, tregu i pasurive të paluajtshme luksoze në Londër, si dhe në juglindje të Anglisë, ka qenë caku i investimeve nga Rusia dhe ish-shtetet sovjetike. Oligarkët e pasur që as nuk dinë se çfarë zotërojnë, kanë vendosur të vendosen në Britani të Madhe dhe nuk kanë kursyer para për ta arritur këtë.
Vilat e oligarkëve me enterierë fantastikë, pishina, galeri arti dhe koleksione veturash të vjetra. Agjentët e pasurive të paluajtshme, kontabilistët, institucionet financiare, kompanitë e pasurive të paluajtshme, agjencitë e marrëdhënieve me publikun, arkitektët dhe dizajnerët e brendshëm kanë fituar shumë para nga këta oligarkë.
Ndërkohë aktivistët dhe gazetarët ngrenë alarmin. Siç kanë theksuar prej kohësh, Londra duket të jetë e vetmja tërheqëse për pasuri të dyshimtë – siç shprehet organizata kundër korrupsionit Transparency International BM – nga e gjithë bota, veçanërisht nga vendet e ish-BRSS, transmeton Paparaci.
Këto paralajmërime kryesisht janë injoruar deri më tani, kur këta oligarkë duket se janë bashkëfajtorë në punën e elitave, udhëheqësi i të cilave filloi luftën më të rrezikshme në Evropë që nga viti 1945, raporton The Guardian.
The Guardian shkruan se paratë e oligarkëve rusë promovuan ekskluzivitetin dhe ndarjen në qytet, avantazhet e të cilit kanë qenë hapja dhe qasshmëria. Oligarkëve u pëlqen të blejnë prona të paluajtshme në Knightsbridge, Kensington, në pjesët e Highgate dhe komunitete periferike si St. George’s Hill pranë Weybridge në Sari.
Kjo pasuri kështu ka kontribuar në fenomene të padëshiruara siç janë “rrugët fantazmë”, sepse pronarët e pronave në mbarë botën vetëm herë pas here qëndrojnë në adresat e tyre në Londër. Kjo ka çuar në një fenomen ku blloqe të tëra apartamentesh janë kryesisht të errëta në shumicën e rasteve, sepse pronarët janë diku tjetër.
Ku i kanë shtëpitë oligarkët?
Një shtëpi nga imagjinata e një oligarku është diçka si një shtëpi me 15 dhoma të fjetjes, si ajo e Roman Abramovich-it. Ajo vlen mbi 150 milionë euro, dhe ndodhet në Kensington, një nga rrugët më të shtrenjta në botë. Shtëpia në sheshin Belgrave, e cila besohet se i përket Oleg Deripaskas, aleatit të Putinit, i cili është nën sanksionet e SHBA, gjithashtu bën pjesë në këtë kategori.
Ndër shtëpitë e preferuara nga oligarkët është shtëpia Atlon e stilit jakobin me një kullë e cila vlen mbi 65 milionë euro, e cila u ble në vitin 2016 nga Mikhail Friedman, një njeri të cilin e ka sanksionuar BE-ja dhe i cili është shënuar si person nga rrethi më i ngushtë i Putinit, transmeton Paparaci.
Gjithashtu, njëri nga oligarkët, Alisher Usmanov, posedon një shtëpi fshati si Sutton Place, një ndërtesë me 72 dhoma në Sari.
Vila në periferi, e cila ndodhet në një pronë të tipit të mbyllur, në Virginia Water në Sari, i përket partnerit të biznesit të Fiedmanit, Peter Avenue, i cili gjithashtu është i sanksionuar. Hamston House, një pallat në stilin Art Deco në kodrën e Shën Gjergjit, dikur i përkiste Deripaskas.
Vila më spektakolare nga të gjitha është Wittenhurst në veri të Londrës, në pronësi të manjatit Andrej Guriev. Shpesh quhet shtëpia e dytë më e madhe familjare në kryeqytet pas Pallatit Buckingham.
Robert Adam, i cili e ka ri dizajnuar Wittenhurst, ka thënë se për New Yorker, se “shtëpitë janë shprehja kryesore e statusit njerëzor, ambicieve dhe ëndrrave… Nuk mund ta vendosni fjalën “nevoja” pranë tyre. Fjala e vërtetë është “Unë e dua”.
Një mendim i ngjashëm mund të shihet në vendimin e ukrainasit Dmitry Firtash, i cili është përkrahës i Putinit, që të shndërrojë një stacion të braktisur të metrosë në Brompton Road në shtëpi, edhe pse ai tashmë kishte një shtëpi të mrekullueshme moderne aty pranë.
“One Hyde Park” është një bllok rezidencial në Knightsbridge, i cili gjithashtu ka tërhequr shumë vëmendje të oligarkëve të cilët kanë investuar shuma të mëdha parash në pasuri të paluajtshme. Midis tyre janë manjati rus Vladislav Doronin dhe miliarderi ukrainas Rinat Akhmetov, i cili pagoi një rekord prej 164 milionë eurosh për një apartament në nën kulm (penthouse) në fillim të vitit të kaluar.
Friedman, Deripaska dhe Doronin kanë vënë në dyshim luftën e Putinit në shkallë të ndryshme dhe Deripaska ka kundërshtuar sanksionet e vendosura ndaj tij. Ashtu si Friedman dhe Aven, ai i përshkroi ato si “gënjeshtra keqdashëse dhe të qëllimshme”.
Para të dyshimta të investuara në pasuri të paluajtshme
Sa i përket pasurive të paluajtshme në pronësi të njerëzve të fuqishëm rusë, The Guardian shkruan se është e pamundur të futesh në thelbin e financimit të blerjes së ndonjë prej pasurive të paluajtshme të përmendura dhe pretendon se me siguri ndonjë nga pronat është blerë me para nga korrupsionet.
Ajo që ne dimë është se Transparency International ka thënë se 8 miliardë euro fonde të dyshimta janë investuar në prona në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 2016, nga të cilat të paktën 1.8 miliardë euro janë investuar nga rusë të akuzuar për korrupsion ose lidhje me Kremlinin.
Ish-kryeministri britanik David Cameron premtoi gjatë mandatit të tij se do të përjashton “paratë e pista” në vitin 2015, dhe në vitin 2016, qeveria britanike premtoi të prezantojë një regjistër publik të pronave në pronësi të huaj. Gjashtë vjet më vonë, kryeministri britanik Boris Johnson ende premton se do të nxitojë me një regjistër të tillë.
“Nuk ka vend për para të pista në Britani. Ata që mbështesin Putinin janë të njoftuar: nuk do të kenë ku t’i fshehin paratë e tyre të fituara ilegalisht”, ka thënë ai.