Numra për t’u shmangur, objekte për t’u mbajtur gjithmonë me vete, veprime dhe zakone. Por edhe “klasiket”: ndeshja shihet gjithmonë me të njëjtët njerëz, të ulur në të njëjtin vend, me të njëjtën bluze veshur. Gjithçka, vetëm e vetëm që skuadra e zemrës të fitojë.
Besëtytnitë i kanë rrënjët në lashtësi. I ka përdorur thuajse çdo qytetërim në çdo periudhë të lulëzimit të tij. Në ditët e sotme, vijojnë të jenë të pranishme, duke zënë një vend të veçantë ato në sport.
Më poshtë gjeni 11 veprimet dhe zakonet më të shpeshta që kryhen për t’i sjellë fat skuadrës.
Në të njëjtin vend: Të gjithë e kanë bërë thuajse një herë këtë veprim. Kur shohin ndeshjen e skuadrës së zemrës, disa njerëz ulen në të njëjtin divan, apo në të njëjtin stol në stadium, apo lokal, në të njëjtën shtëpi, porosisin të njëjtën pjatë nëse janë në lokal, e mundësisht me të njëjtën partnere.
Numrat e fatit: Në traditën shqiptare nuk kemi ndonjë numër ters. Por në Itali, kanë numrin 17, në kulturën anglo-saksone është numri 13, ndërsa në Kinë, numri nga i cili kanë frikë. Kështu që fanella me këto numra, ose shikimi i ndeshjes në këto orë, është i ndaluar.
Të gjithë kanë nga një objekt me vlerë pas të cilit janë lidhur fort. Dikush ka një fanellë, dikush një shall, një tjetër një kapele, apo edhe veshje intime.
Kripa me karar: Jo vetëm në kuzhinë. Edhe në sport, kripa përdoret nga më supersticiozët, duke u hedhur pas krahëve, si për të lënë pas problemet gjatë ndeshjes. Kjo besëtytni vjen nga lashtësia, pasi kripa vlerësohej si një përbërës tepër i kushtueshëm. Dikur, ushtarët romakë paguheshin edhe me racione kripe.
Kryqëzimi i gishtave: Një veprim aq popullor saqë është bërë edhe shprehje. Edhe tifozët më pak supersticiozë e përdorin kur skuadra e tyre po ekzekuton një penallti apo goditje dënimi. Origjina e këtij veprimi vjen nga krishterimi, ku besimtarët e konsideronin si simbol të kryqit dhe e përdornin për të komunikuar mes tyre. Në Mesjetë përdorej edhe për t’i “ndërprerë rrugën” Djallit.
“Brirët”: Dora grusht dhe ngritja e gishtit tregues dhe të voglit. Një veprim fatsjellës kryesisht në Itali. Në vende të ndryshme kanë objekte të tjera, buburreci në Egjipt dhe patkoi i kalit, mjaft popullor edhe në Shqipëri.
Ta nisësh me këmbën e mbarë: Shumë futbollistë bëjnë nga një veprim të veçantë para se të hyjnë në fushë. Dikush prek barin gjithmonë me të njëjtën këmbë, ose e gjithë skuadra rreshtohet njëlloj sa herë që zbret në fushë. Më i zakonshmi është vendosja e këmbës së djathtë në fillim. Besëtytnia ka rrënjë fetare, sipas të cilës Zoti lidhet me këmbën e djathtë dhe Djalli me të majtën.
Mos prek asgjë: Nëse ndeshja përfundon ashtu siç dëshirojmë ne, atëherë më mirë të mos ndryshosh asgjë për takimin e ardhshëm, as mjekrën e as flokët. Në rastin më të mirë, nëse skuadra arrin në finale, do të qëndrosh maksimumi 1 muaj pa qethur e rruar.
Në vendet nordike dhe britanike, për të mos “marrë më sysh” skuadrën e zemrës, prekin një objekt apo sipërfaqe druri. Në Itali prekin hekurin.
Mbyll sytë: Në rastet kur skuadra e zemrës e çon ndeshjen me penallti, shumë tifozë zgjedhin më mirë të mos i shohin, për besëtytni ose për shkak të emocioneve. Kur janë në stadium i kthejnë kurrizin fushës, në shtëpi largohen nga televizori.
Disa rite bëhen aq popullorë, saqë dublojnë edhe himnin kombëtar. E pa harruar duartrokitja në sinkron e tifozëve islandezë.