Në kohë normale një president amerikan edhe mund të rrëzohej nga zbulime të tilla si truket tatimore. Por Donald Trump me truket e tatimeve ka gjasë madje që të përfitojë, thonë ekspertët, para debatit të parë televiziv.
Uashingtoni politik për pak minuta mbajti frymën të dielën në mbrëmje: Në një raportim ekskluziv, gazeta “New York Times” publikoi hapur, se presidenti, Donald Trump në 10 nga 15 vitet e fundit nuk ka paguar tatime në nivel federal, në vitin 2016 si edhe në vitin e parë si president madje 750 dollarë. Nga raportimi mund të mendosh, se Donald Trump ose ka qenë mjaft i paskrupullt në mënjanimin e tatimeve ose një biznesmen shumë i keq – ose, gjë që është më e mundur, ai i ka të dyja. Për ta kuptuar më mirë: Qytetari amerikan mesatarisht paguan 12.200 dollarë tatime, 16 herë më shumë se Trump. Presidenti vetë menjëherë i damkosi këto informacione si gënjeshtra, që i përhap shtypi liberal, për ta dëmtuar atë.
Pak para duelit televiziv
Nuk është rastësi që gazeta liberale “New York Times”, që prej muajsh lufton me të gjitha mjetet publicistike kundër rizgjedhjes së Trumpit, këtë lajm bombë e lëshon pak para duelit të parë televiziv, me shpresën e dukshme, që këto informacione të ndihmojnë sfiduesin demokrat, Joe Biden në debatin televiziv të martën (29.09). Ky është dueli i parë nga tre duele televizive, dhe merr një rëndësi të veçantë në këtë vit të Coronës, kur kandidatët dhe ekipi i tyre organizojnë shumë pak mitingje zgjedhore publike dhe ku pritet që miliona vetë t’i ndjekin përmes televizionit.
Çdo 15 minuta do të trajtohet një kompleks temash: Gjykata Supreme, pra më konnkretisht do të flitet për pasuesen e gjyqtares së ndjerë Ruth Bader Ginsburg, situata e COVID-19, ekonomia, racizmi dhe dhuna në qytete, bilanci politik i Trumpit dhe Bidenit, dhe integriteti i zgjedhjeve në vetvete. Shërbimet sekrete amerikane i tremben ndikimit nga jashtë si në vitin 2016. Trump prej javësh pretendon, se votimi me postë është i pasigurtë dhe i manipulueshëm, dhe hap rrugën kështu për të kontestuar votimin në rast moszgjedhjeje. Gjatë transmentimit nuk është parashikuar një verifikim faktesh.
“Ndoshta kjo histori nuk ka për të ndryshuar ndonjë gjë në sjelljen në votime të përkrahësve të Trumpit”, thotë Sheri Berman, politologe në Bernard College në Universitetin e Columbias. Në peizazhin mediatik mjaft të polarizuar, ka shumë pak vetë që i ndjekin zhvillimet. Përveç kësaj në vitet e kaluara njerëzit janë mësuar me gënjeshtrat e shumta dhe skandalet. “Kjo nuk është më ndonjë gjë e madhe këtu në Shtetet e Bashkuara”, thotë Berman.
Një provë për zgjuarsinë e Trumpit
Po kaq nuk mjafton: Politologja e konsideron të mundur që Trump përmes mënjanimit të tatimeve madje tek disa përkrahës të tij të fitojë pikë, sepse veprimin e tij ata e shohin provë se sa i zgjuar është presidenti, dhe sa mirë di që me truke të caktuara të nxjerrë përfitimin më të madh për vete. Por çfarë mundësish ka atëherë Joe Biden të fitojë pikë në këtë duel të parë televiziv kaq të rëndësishëm e që do të ndiqet me vëmendje brenda e jashtë SHBA-së.
Për të pasur vërtet ndikim tek votuesit e pavendosur, Biden duhet të përqëndrohet tek cilësitë e tij më pozitive, e të argumentojë pse është kandidati më i përshtatshëm për t’u përballuar me situatën ekonomike të vështirë në vend. Ai duhet të synojë të përmendë edhe sjelljen në qeveri të personelit mjaft të kualifikuar, një qeveri që do të jetë e aftë nga dita e parë, thotë eskpertja Berman. “Ne pamë në vitin 2016 tek Hillary Clinton, se fokusimi tek elementi negativ i kundërshtarit nuk mjafton.”
Raportimi për truke tatimore të Trumpit tek shumica shkakton tanimë vetëm një ngritje supesh, është e bindur Berman. “Të gjithë e dinë ndërkohë, se çfarë njeriu është Donald Trump. Ata e votojnë atë për politikën e tij, ose sepse thjesht nuk i duan demokratët.”