Një ditë pasi presidenti i Republikës, Bajram Begaj me anë të një letre të pa-precedentë i kërkoi Kuvendit të hetojë rolin e Bankës së Shqipërisë në të ashtuquajturin “skandali i mikrokredive”, ka reaguar edhe institucioni më i lartë monetar në vend. Në përpjekje për t’i dhënë përgjigje pikëpyetjeve në dhënien e licencave të ngritura nga Presidenca që njëkohësisht kërkon “zgjidhjen e plotë, të suksesshme, përfundimtare e të pakthyeshme” për fenomenin, Banka e Shqipërisë argumenton:
Banka e Shqipërisë, në asnjë rast, as nuk ka lejuar dhe as nuk ka krijuar paligjshmëri, por vetëm ka përmirësuar më tej kuadrin rregullativ mbikëqyrës për blerjen e kredive me probleme. Nga ana tjetër, ky ishte një format i propozuar dhe mbështetur fuqimisht nga institucionet partnere ndërkombëtare për ta adresuar këtë fenomen, FMN dhe Banka Botërore.
Banka e Shqipërisë
Por palët nuk puqen në këtë pikë. Një ditë më parë, në apelin për reagim drejtuar kryetares së re të Kuvendit, Elisa Spiropali, Komisionit të Ekonomisë dhe Financave dhe atij për Çështjet Ligjore, presidenti Begaj nginte akuza në drejtim të licencave që Baka e Shqipërisë kishte dhënë për shoqëritë e mikrokredive.
Subjektet financiare jobanka kanë nisur që nga viti 2012 praktikën e blerjes së kredive me probleme, krahas veprimtarisë kredidhënëse për të cilën kanë qenë të licencuara. Kjo veprimtari, deri në mars të vitit 2016, ka qenë e pambuluar nga licenca që iu ishte dhënë nga Banka e Shqipërisë. Në mars të vitit 2016, Banka e Shqipërisë njohu gjendjen e faktit dhe vendosi ta ligjërojë praktikën, duke modifikuar rregulloren. Por ky rregullim dëshmonte inkoherencë.
Bajram Begaj, President i Republikës
Duke bërë një tablo të përgjigjeve që guvernatori Gent Sejko i kishte nisur për rolin që Banka Qendrore kishte pasur në licencimin dhe mbikëqyrjen e mekanizmit të shitjeve të kredive të këqija, në letrën e tij Begaj doli në përfundimin se kjo detyrë nuk ishte përmbushur.
Përhapja në një masë të madhe njerëzish dhe për një kohë relativisht të gjatë e kësaj skeme abuzimi ka krijuar hapësira për të hedhur dyshimin se sistemet mbikëqyrëse nuk kanë funksionuar apo që janë penguar me dashje të funksionojnë. Këto pretendime përbëjnë shqetësim të vërtetë dhe kërkojnë përgënjeshtrim bindës nga të gjitha institucionet kompetente.
Bajram Begaj, President i Republikës
Duke kërkuar ndryshime në Kodin e Procedurës Civile; hartimin, të një Ligji të posaçëm për mbrojtjen e konsumatorit si dhe shndërrimin e të gjitha subjekteve financiare jobanka në shoqëri aksionare, Banka e Shqipërisë i përgjigjet kështu akuzave:
Banka e Shqipërisë nuk ka kompetencë të urdhërojë ndalimin/pezullimin e proceseve të ekzekutimit të detyrimeve, pasi kjo është kompetencë që me ligj i është njohur vetëm gjykatës kompetente. Autoriteti ligjor i Bankës së Shqipërisë përfundon në momentin që është marrë një vendim i gjykatës dhe është lëshuar urdhri i ekzekutimit për të rikuperuar kredinë e pashlyer. Çdo proces përtej këtij momenti është jashtë kompetencave ligjore të Bankës së Shqipërisë dhe nuk mund të ndiqet apo rregullohet prej saj.
Banka e Shqipërisë
Një hetim administrativ i kryer nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2020, zbuloi se rreth 17 mijë individë ishin dëmtuar me gjoba të padrejta dhe sekuestrim pronash në skemën e mbledhjes së detyrimeve ishte përfshirë shoqëria “Micro Credit Albania” si dhe një grup zyrash private të përmbarimit, noterë dhe shoqëri të tjera të lidhura me të. Nga ana tjetër hetimi i kryer nga Prokuroria e Tiranës vlerësoi se përgjegjësitë mund të shtrihen deri te Banka e Shqipërisë dhe guvernatori i saj për masa të vonuara ose të papërshtatshme për të frenuar këtë skemë.