Presidenti francez Emmanuel Macron propozoi së fundmi që koalicioni ndërkombëtar që lufton grupin e Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, të zgjerojë fushatën e tij duke luftuar edhe kundër grupit militant palestinez Hamas. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine, ekspertët janë shprehur skeptikë në lidhje me mënyrën se si do të funksiononte një gjë e tillë në praktikë, për shkak të pikëpamjeve të ndryshme në Lindjen e Mesme se si duhet trajtuar çështja e Hamasit.
Propozimi i Presidentit francez Emmanuel Macron që koalicioni ndërkombëtar i cili lufton për të mposhtur grupin Shteti Islamik të zgjerojë synimet e tij, për të goditur edhe Hamasin, zuri faqet e para të shtypit.
“Në bazë të kësaj përvoje, le të ndërtojmë me të gjitha shtetet që janë të gatshme të ndihmojnë, sot me Izraelin, por me të gjitha vendet në rajon, një koalicion për të luftuar kundër grupeve terroriste, përfshirë Hamasin, për të shkëmbyer informacione, për të identifikuar këta terroristë dhe t’i neutralizojmë ata”, sugjeroi presidenti francez.
Zoti Macron i bëri komentet këtë javë, gjatë vizitës në Izrael, vizitë që pasoi sulmet e Hamasit më 7 tetor, si pasojë e të cilave u vranë 1,400 izraelitë.
Zyra e zotit Macron sqaroi se propozimi nuk kishte të bënte me dërgimin e trupave në terren, por më tepër me ndarjen e informacioneve të zbulimit dhe luftimin e burimeve të financimit të terrorizmit.
Në vitin 1997 Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli Hamasin grup terrorist. Po kështu dhe Bashkimi Evropian e vende të tjera perëndimore e konsiderojnë atë një organizatë terroriste. Por Hamasi ka marrë mbështetje verbale nga Turqia dhe vendet arabe si Katari, si dhe është mbështetur me armatime nga Irani.
Eksperti për antiterrorizmin në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, Bruce Hoffman, ngre pikëpyetje nëse ideja e zotit Macron do të fitojë mbështetje të mjaftueshme mes vendeve arabe, për shkak të zemërimit që kanë shkaktuar sulmet hakmarrëse të Izraelit në Gazë.
“Duke pasur parasysh situatën e trazuar në Gazë, shkatërrimet, zhvendosjen e popullsive, do të ishte shumë e vështirë, për shumë vende të angazhoheshin, në ndonjë lloj roli aktiv, për të ardhmen e Gazës ose për t’u përballur me Hamasin”, thotë zoti Hoffman.
Një tjetër eksperte kundër terrorizmit Katherine Zimmerman, thotë për Zërin e Amerikës se gjetja e një zgjidhjeje praktike për ndalimin e terrorit të Hamasit, do të ishte një sfidë e madhe.
“Do të ishte një ndërmarrje e vështirë dhe unë mendoj se mund të jetë e pamundur, po të kemi parasysh se misioni i Hamasit nuk është për të zgjidhur çështjen palestineze, por për të shkatërruar Izraelin. Pra realisht do të duhej transformimi i asaj çka është në thelb Hamasi, në mënyrë që problemi i terrorizmit, të merrte një përgjigje”, thotë Katherine Zimmerman eksperte e institutit studimor “American Enterprise”.
Presidenti Joe Biden ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për ringjalljen e procesit të paqes izraelito-palestinez, që do të çonte tek zgjidhja me dy shtete, pasi të përfundojë lufta në Rripin e Gazës, qëndrim që është mbështetur edhe nga zoti Macron.