Sondazhet, Merkeli liderja më e vlerësuar nga të gjithë

 3,302 total views,  1 views today

Në shumicën e vendeve të botës njerëzit ende besojnë se Angela Merkeli merr vendimet e duhura në skenën globale. Megjithëkëtë, vetëm grekët janë ende skeptikë karshi kancelares gjermane, ka treguar një sondazh i ri i qendrës PEW.

Kancelarja në largim e Gjermanisë vazhdon të gëzojë një reputacion të mirë jashtë Gjermanisë dhe asaj i besohet madje më shumë se Joe Bidenit, Vladimir Putinit, Xi Jingpingut apo Emmanuel Macronit, ka treguar sondazhi i qendrës jopartiake me seli në Washington.

Raporti i fundit i saj ka grumbulluar të dhëna nga 16 sondazhe publike në vendet me ekonomi të përparuara. Kancelarja gjermane ka marrë vlerësimin më të lartë të besimit në krahasim me udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rusisë, Kinës dhe Francës. 77 për qind e të anketuarve shfaqën besimin se Merkeli do të bënte gjënë e duhur në lidhje me çështjet ndërkombëtare.

Megjithatë, mendimi nuk ishte i njëjtë në Greqi, ku vetëm 30 për qind e të anketuarve besonin se Merkeli po e bënte gjënë e duhur. Qeveritë greke dhe gjermane janë përplasur vazhdimisht gjatë krizës së borxhit në eurozonë, e cila mbi një dekadë më parë paralizoi ekonominë e shtetit helen.

Merkeli gëzon gjithashtu besimin e gjermanëve qëkur u zgjodh kancelare. Më shumë se 2/3 e tyre e kanë ruajtur këtë besim gjatë gjithë rrugëtimit të saj politik. Në vitin 2021 shifrat janë akoma më të larta, me ç’rast 77 për qind e të anketuarve i kanë shprehur besim udhëheqëses së tyre, e cila i jep fund karrierës politike pas zgjedhjeve parlamentare të 26 shtatorit.

Share
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •