Interesimet shkencore për shqipen në Itali zënë fill të paktën nga gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Me kalimin e viteve, dijetarët italianë shprehën interesim të gjallë për studimin e popullatave fqinje brenda botës romane, si ilirët, mesapët e trakasit. Kështu nga mjediset e kultivuara arbëreshe, flakadani i studimeve albanistike do të kalonte në duart e gjuhëtarëve italianë, si Francesco Ribezzo, Carlo Tagliavini e Vittore Pisani.
Kjo traditë e pasur albanologjike ishte shkoqitur vitin e kaluar gjatë konferencës shkencore dyditore “Studimet Albanistike në Itali” të organizuar nga Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), shkruan sot Koha Ditore.
Të mërkurën, institucioni më i lartë akademik në Kosovë ka publikuar vëllimin online “Studimet albanistike në Itali”, që përfshin përmbledhjen e punimeve dhe prurjeve nga konferenca shkencore e mbajtur më 22 dhe 23 tetor të vitit të kaluar.
Kjo përmbledhje ka bërë bashkë mes të tjerash kumtesa të Emanuele Banfit, John Trumperit, Leonardo M. Savoias, Rexhep Ismajlit, Victor Friedmanit, Francesco Altimarit, Matteo Mandalà e Giuseppina Turanos.
“Zor është të gjesh kaq shumë emra të mëdhenj të përfshirë në cilëndo revistë shkencore kudo në botë”, ka thënë për KOHËN profesori i fonetikës në Fakultetin e Filologjisë, Bardh Rugova, njëherësh anëtar i jashtëm i ASHAK-ut.
Ai e ka vlerësuar konferencën e ASHAK-ut si të rëndësishme në disa rrafshe teksa ka nënvizuar praninë e komunitetit arbëresh në Itali.
“Me këtë komunitet janë marrë disa prej emrave më të mëdhenj të albanologjisë. Ju kujtoj se Hampi i madh ka doktoruar me të folmen e Vakaricit”, ka thënë profesor Rugova, duke përmendur traditën e Italisë në studimet mbi shqipen.